Derbi i kryeqytetit është një nga ato ndeshje që kanë ndikim në gjithë kampionatin, e nuk mund të jetë ndryshe këtë herë. Tirana ka momentin e saj dhe, përtej renditjes, futet në këtë përballje me besimin se mund tia dalë. Partizani në anën tjetër hedh sytë nga statistikat dhe e sheh si momentin e kthesës. E megjithatë, për të dy skuadrat, do të jenë 90 minutat që vlejnë sezonin.
Një derbi që vlen qytetin. E kjo ndodh gjithnjë. Por ky i fundit i këtij kampionati, vlen për Tiranën të gjithë sezonin, ashtu si në fakt edhe për Partizanin, pavarësisht dy qëllimeve krejt të ndryshme të dy kryeqytetasve. Pikërisht kështu, sepse bardheblutë me 4 ndeshje ende për tu luajtur duhet të marrin pikë pa dallim kundërshtari, në një sprint final me Bylis e Vorën, me tre skuadrat në kuotë të njëjtë pas 32 javësh rraskapitëse e me 12 pikë në lojë që mund të ndryshojnë panoramën në cdo javë nga katër të fundit.
Partizani, pasi shijoi vendin e katërt me shumë mund, rrezikon tashmë të shohë ëndërrën të venitet jo në një natë vere, por aty afër. Të kuqtë nuk fitojnë prej 5 javësh dhe tre pikët e marrë në këtë periudhë tregojnë një ecuri që nuk ngjan fare me idenë që Kërnaja kishte për të marrë vendin në Final 4. Por cfarë kaloi kaloi dhe tani është një derbi për të sistemuar gjërat. Përplasja me Tiranën nuk është kurrë e thjeshtë për Partizanin dhe gjithashtu për bardheblutë.
Luhet për krenari, luhet për tifozët, luhet për të mbajtur kokën lart dhe nuk ka rëndësi fakti që të kuqtë kanë fituar dy përplasjet e fundit pa pësuar gol dhe Tirana vetëm të parën me një golavarazh të përgjithshëm 4-3. Ndaj me renditjen që thërret e etur për pikë, 90 minutat e derbit të kryeqytetit janë thelbësore për të marrë atë që dy skuadrat kërkojnë: bardheblutë shpëtimin, të kuqtë katërshen. Të gjitha të tjerat kalojnë në plan të dytë, edhe pse si Shehit ashtu dhe Kërnajës i kalojnë nëpër mend me frekuencë të rritur cdo moment që i përafron me derbin…
SHEHI, TË GJITHË NËN URDHËRA
Tirana shkon në derbin e madh të kryeqytetit me besimin e rezultateve të ndeshjeve të fundit. Shehi do të ketë në dizpocion, për përplasjen me Partizanin, të gjithë lojtarët, edhe pse për formacionin i ka idetë e qarta.
Pesë ndeshje radhazi pa humbje, me 11 pikë të siguruara nga 15 të mundshmet, por ende në emergjencë për shkak të një renditje që e sheh në vijë me Bylis e Vorën kur janë ende metrat e fundit të garës.
Tirana shkon në derbin e kryeqytetit me Partizanin, me shumë tension, por me po aq moral dhe siguri, që teknikut Orges Shehi i vijnë nga formacioni: të gjithë në dispozicion. Bekaj tashmë është i sigurtë mes shtyllave, me një linjë difensive katërshe, që Shehi preferon në skuadrat e tij me Ndong e Verën në krah e me vetëm Kresic që shqetëson për një fanellë titullari Cortez e Halilin. Mesfusha është e kolauduar tashmë me Rafael, Myslovic e Alvarez, ndërsa Kobiljar kthehet titullar, për të mbështetur një sulm të gjithin në shpejtësi me Xhixhën e Tabeku.
Duke patur parasysh edhe kundërshtarët me të cilët duhet të bëjë llogaritë, Shehi preferon më shumë dinamizëm se mund ti japë Mehmeti e Falaye, edhe pse ky sistem loje mund ti japë mundësinë të hap zonën e infuelncës së dy sulmesve për depërtimet e Kobiljar.
PARTIZANI, RIKTHIME E MUNGESA
Partizani ka mungesa dhe rikthime të rëndësishme për derbin e kryeqytetit me Partizanin. Kërnaja rigjen të gatshëm Skukën e bashkë me të edhe Fadairon, por duhet të bëjë pa Bytycin e Ismailin që kanë plotësuar numrin e kartonëve dhe janë të skualifikuar.
Pesë ndeshje pa fitore, 3 pikë nga 15 të mundshme, dy gola të pësuar mesatarisht për ndeshje dhe vetëm një i shënuar me penallti në 270 minutat e fundit. Por, se gjithnjë ka një por, për Partizanin rikthehet Xhuliano Skuka pikërisht përpara derbit kryeqytetas me Tiranën. Sulmuesi ka munguar në tre ndeshjet e fundit për shkak të problemeve fizike, por tashmë është rikthyer dhe ndoshta jo nga minuta e parë, edhe pse nuk përjashtohet, pritet të jetë një armë shtesë për repartin ofensiv. Rikthim, të cilit i bashkohet edhe Fadairo, që ishte pjesë e skuadrës edhe në ndeshjen e fundit ndaj Elbasanit.
Sidoqoftë mungesa ka dhe me peshë madje: Bytyçi e Ismaili janë të skualifikuar për numër kartonësh dhe do të mungojnë. Mbrojtësin do ta zëvendësojë një mes Janjevës e Prekës, për të formuar linjën e mbrojtjes me katër, bashkë me Murataj, Atanaskokin e Sembene. Mesfushori do të mbulohet nga Qaka, që do të vendoset para mbrojtjes me Dumbia, ndërsa Human, Isgandarli e Sidibe do të mbështesin një mes Tomës e Skukës. Kërnaja mund të bëhet trajneri i parë i të kuqve që fiton tre derbi radhazi brenda një kampionati, pas dy rezultateve 2-0, por përpara statistikave individuale tekniku do vendin në Final 4 dhe ai kaloi pikërisht nga derbi…