Tirana mbijeton! Edhe sezonin e ardhshëm do të luajë në Superiore. Bardheblutë kanë mposhtur 1-0 Pogradecin në finalen e playout të luajtur në Elbasan Arena. Në një ndeshje tepër të ekuilibruar, vendosi autogoli i të pafatit Hysenllari, në minutën e fundit të kohës së rregullt.
Sipas parashikimit, ose më saktë gati sipas parashikimit. Bardheblutë fituan, por vuajtën shumë dhe rrezikuan të shkonin në shtesa përballë skuadrës që ishte renditur në vendin e 5 në Kategorinë e Parë. Tirana, në fakt, ishte dukshëm favorite për suksesin ndaj skuadrës liqenore, port ë besuarit e Ardian Memës në fraksionin e parë të lojës vunë disa herë në vështirësi portën e Selmanit. Kryeqytetasit krijuan më shumë raste e në fund panë edhe t’i anulohej një gol.
Në pjesën e dytë në fushë ishte praktikisht vetëm Tirana, që u imponua ndaj Pogradecit, që priti shumë prapa kundërshtarin, në tentativë për të nisur ndonjë kundërsulm që mund t’i jepte rezultatin e shpresuar. Jarmouni e të tjerët megjithatë nuk po gjenin hapësira në prapavijën e kujdesshme të liqenorëve, që u dorëzuan vetëm në minutën e 90’, edhe atëherë të tradhëtuar nga fati dhe Hysenllari, që devijoi pa dashje goditjen me kokë të Jarmouni.
Një autogol që cliroi Shkëmbin, që do të kishte marrë faturën e rënies së Tiranës nga kategoria, por edhe vetë Memën, teknikun me ADN bardheblu, që do të kishte vuajtur rrëzimin e skuadrës së zemrës. Gjithësesi, Tirana mori një fitore minimale, por që i lejon qëndrimin në elitë edhe në edicionin e ardhshëm. Pogradeci nga ana tjetër, duhet të provojë edhe njëherë sezonin e ardhshëm, duke nisur po nga Kategoria e Parë.