Tirana është në kërkim të një portieri dhe pista kryesore të çon te një emër i njohur për ambientin bardheblu. Burime pranë klubit bëjnë me dije se drejtuesit e lartë të KF Tiranës kanë kontaktuar ish-portierin e skuadrës, Visar Bekaj, për ta rikthyer sërish në Shqipëri.
Gardiani i Kosovës, i cili së fundmi ishte pjesë e Hatayspor në Turqi, aktualisht është pa skuadër, çka e bën të mundshme një marrëveshje në këtë fazë merkatoje.
Tirana kërkon të forcojë repartin e portës dhe profili i Bekajt shihet si një alternativë e sigurt, duke qenë se ai njeh mirë realitetin bardheblu. Bekaj ka qenë më parë pjesë e Tiranës, ku ka lënë gjurmë me paraqitjet e tij dhe ka kontribuar në fitimin e një kampionati dhe një Superkupe të Shqipërisë.
Gjithsesi, situata mbetet ende në kuadër të merkatos, pasi më herët mes palëve ka pasur edhe përplasje, madje çështja ka përfunduar edhe në gjyq. Pavarësisht kësaj, kontakti i fundit tregon se të dyja palët janë të hapura për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe për të mbyllur një kapitull të vjetër në funksion të një rikthimi të mundshëm. Në ditët në vijim pritet të qartësohet nëse ky interes do të konkretizohet në marrëveshje, apo nëse Tirana do të ndjekë pista të tjera për portën.