Tirana nuk ka kohë për të humbur për vetë pozicionin në renditje, vendi i fundit me 10 pikë dhe me 11 lojtarë të larguar nga organika përpara mbylljes së gjysmës së parë të kampionatit. Kështu, pas Ndong, bardheblutë bëjnë një goditje të rëndësishme në merkato, duke firmosur për 3 sezone me Patrik Myslovic. 24 vjecari ka luajtur me skuadra si MŠK Žilina, Aberdeen dhe Levski Sofia.
Me Levski, Myslovic nuk është se ka patur jetë të lehtë, me vetëm 9 prezenca në këtë gjysmë të parë sezoni, për vetëm 218 minuta në fushë, pa asnjë gol e asnjë asist. Kjo ka sjellë edhe ndarjen e palëve, duke e nxjerrë sllovakun lojtar të lirë nga 1 janari, kur do të vishet me fanellën bardheblu.
Njoftimi i klubit
Mirësevjen, Patrik!
KF Tirana njofton afrimin e lojtarit Patrik Myslovic. Klubi ka nënshkruar ditën e sotme marrëveshjen me mesfushorin sulmues 24-vjeçar, i cili do të bëhet pjesë e bardhebluve për tre sezonet e ardhshme. Myslovic ka luajtur më parë te MŠK Žilina, Aberdeen dhe Levski Sofia, dhe tani është përforcimi më i ri i skuadrës.
I urojmë mirëseardhjen në kampin e bardhebluve! ✍🏻
Kush është Myslovic?
Myslovic, i lindur në 28 maj 2001, është një mesfushor ofensiv me këmbë të mira dhe teknikë të rafinuar. 180 cm i gjatë, sllovaku ka qenë pjesë e kombëtareve të vendit të tij deri në nivelin e 21 vjeçarëve, ndërsa nuk ka marrë asnjë thirrje nga Kombëtarja A. Te Tirana ai kërkon një stimul më shumë për tu kthyer protagonist, pas një periudhe jo shumë të lumtur në Bullgari.