Ata që kishin dyshime duhet ti njohin Donald Trump- it meritën se nuk i lë gjërat pa u sqaruar gjërat: ai e ka bërë të qartë, me zë të lartë, se e djathta ekziston. Ashtu siç kemi parë shpesh në të shkuarën, ajo merr formën e një përzierjeje midis nacionalizmit brutal, konservatorizmit shoqëror dhe liberalizmit ekonomik të pakufizuar. Trumpizmin mund ta etiketojmë si një nacional-liberalizëm ose, më saktë, si nacional-kapitalizëm. Deklaratat e Trumpit për Groenlandën dhe Panamanë tregojnë përkushtimin e tij ndaj kapitalizmit autoritar dhe ekstraktivist më agresiv (që bazohet mbi shfrytëzimin të pasurive natyrore me qëllim rritjen e prodhimit-shënim Lapsi.al), i cili, në thelb, është forma reale dhe konkrete që ka marrë më shpesh liberalizmi ekonomik në histori.
Analiza/ Naomi Klein: Trump fitoi se demokratët braktisën klasën punëtore
Por që ta themi qartë: nacional-kapitalizmit trumpist i pëlqen të shfaqë forcën e tij, por në realitet ai është i brishtë dhe në vështirësi. Europa ka mundësitë për t’u përballur me të, me kusht që të rikthejë besimin tek vetja, të krijojë aleanca të reja dhe të analizojë me qetësi avantazhet dhe kufizimet e kësaj matrice ideologjike. Europa është në një pozicion të mirë për ta bërë këtë: ajo e ka mbështetur zhvillimin e saj për një kohë të gjatë në një skemë të ngjashme ushtarako-ekstraktiviste, me të mirat dhe të këqijat e saj.
Pasi morën me forcë kontrollin e rrugëve detare, lëndëve të para dhe tregut botëror të tekstilit, fuqitë europiane vendosën gjatë shekullit XIX shfrytëzimin e pasurive të të gjitha vendet që zotëronin nga Haiti te Kina e deri në Marok. Në prag të vitit 1914, ato hynë në një garë të ashpër për kontrollin e territoreve, burimeve në kuadër të kapitalizmit global. Madje, ato imponuan edhe ndaj njëra-tjetrës kushte të rënda shfrytëzuese: Prusia ndaj Francës në 1871 dhe më pas Franca ndaj Gjermanisë në 1919 – 132 miliardë marka-ari, më shumë se tre vite të PBB-së gjermane të asaj kohe. Ky përshkallëzim i pambarimtë çoi në shembjen e sistemit dhe të shfrytëzimit dhe arrogancës europiane.
Kjo është dobësia e parë e nacional-kapitalizmit: fuqitë, të nxitura nga ambiciet e tyre, përfundojnë duke shkatërruar njëra-tjetrën. E dyta është se ëndrra e prosperitetit e premtuar nga nacional-kapitalizmi gjithmonë përfundon duke zhgënjyer pritshmëritë popullore, pasi ajo bazohet në hierarki sociale të theksuara dhe një përqendrim gjithnjë e më të madh të pasurisë. Nëse Partia Republikane është bërë kaq agresive ndaj botës së jashtme, kjo ndodh kryesisht për shkak të dështimit të politikave reaganiane, të cilat duhej të nxisnin rritjen ekonomike, por në fakt e ngadalësuan atë dhe çuan në paksimin e të ardhurave për shumicën e popullsisë.
Produktiviteti amerikan ishte dy herë më i lartë se ai europian në mes të shekullit XX, falë përparësisë edukative të vendit. Që nga vitet 1990, ai është në të njëjtin nivel me atë të vendeve më të zhvilluara europiane (Gjermania, Franca, Suedia dhe Danimarka), me diferenca kaq të vogla saqë nuk mund të dallohen statistikisht.
Qëndrim arrogant dhe neokolonial
Të impresionuar nga kapitalizimi i bursave dhe shifrat në miliarda dollarë, disa vëzhgues mahniten nga fuqia ekonomike e Shteteve të Bashkuara. Ata harrojnë se këto vlera të larta burojnë nga monopoli i disa grupeve të mëdha dhe, më gjerësisht, se këto shuma marramendëse në dollarë reflektojnë nivelin shumë të lartë të çmimeve të imponuara ndaj konsumatorëve amerikanë. Është si të analizosh rritjen e pagave pa marrë parasysh inflacionin.
Nëse arsyetojmë bazuar në bazë të fuqisë blerëse, realiteti ndryshon tërësisht: diferenca e produktivitetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Europës zhduket plotësisht. Sipas këtij treguesi, Kina e ka kaluar SHBA-në në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) që në vitin 2016. Aktualisht, ekonomia kineze është mbi 30% më e madhe se ajo amerikane dhe pritet të jetë dyfishi deri në vitin 2035. Kjo ka pasoja të drejtpërdrejta në ndikimin global dhe aftësinë për të financuar investime në Jugun Global, veçanërisht nëse SHBA-ja vazhdon të mbetet e mbyllur në qëndrimin e saj arrogant dhe neokolonial.
Realiteti është se Shtetet e Bashkuara janë në prag të humbjes së kontrollit mbi botën dhe deklaratat e Trumpit nuk do ta ndryshojnë këtë.
Le ta përmbledhim. Forca e nacional -kapitalizmit qëndron tek aftësia e tij për të ngjallur ndjenjën e fuqisë dhe identitetit kombëtar, ndërkohë që njëkohësisht kundërshton rrëfimin idealis mbi harmoninë universale dhe barazinë midis klasave shoqërore. Por dobësia e tij qëndron në faktin se ai nxit konfliktet midis fuqive të mëdha dhe harron se një prosperitet i qëndrueshëm kërkon investime në arsim, mirëqenie sociale dhe mbrojtje të mjedisit për të gjithë.
Libri eveniment/ Thomas Piketty publikon historinë e pabarazisë mes njerëzve dhe zgjidhjet
Përballë trumpizmit, Europa, para së gjithash, duhet të mbetet vetvetja. Askush në kontinent, madje as e djathta nacionaliste, nuk dëshiron të kthehet në qëndrimet militariste të së shkuarës. Në vend që të harxhojë burimet në një garë të pafund armatimesh – Trump kërkon që këtej e tutje buxhetet ushtarake të arrijnë 5% të PBB-së – Europa duhet të forcojë ndikimin e saj përmes ligjit dhe drejtësisë. Me sanksione financiare të fokusuara dhe të zbatuara në mënyrë efektive ndaj disa mijëra liderëve, Europa mund të ushtrojë ndikim më të madh sesa duke grumbulluar tanke në magazina.
Mbi të gjitha, Europa duhet të dëgjojë kërkesën për drejtësi ekonomike, fiskale dhe klimatike që vjen nga Jugu Global. Ajo duhet të rikthehet te investimet sociale dhe të tejkalojë përfundimisht Shtetet e Bashkuara në fushën e arsimit dhe produktivitetit, ashtu siç e ka bërë tashmë në shëndetësi dhe rritjen e jetëgjatësisë. Pas vitit 1945, Europa u rindërtua përmes shtetit social dhe revolucionit social-demokrat. Ky program nuk është i përfunduar; përkundrazi, ai duhet të shihet si fillimi i një modeli të ri të socializmit demokratik dhe ekologjik, i cili tani duhet të konceptohet në një shkallë globale.
Thomas Piketty, eshte nje ekonomist francez me fame boterore veprat best seller te te cilit, “Kapitali ne shekullin e XXI dhe “kapitali dhe ideologjia” jane perkthyer edhe ne shqip. Shkrimi i sotem eshte botuar ne gazeten Le monde kete te diele. Perktheu T Çela, Lapsi.al