Studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës kanë nisur këtë të enjte bojkotin e mësimit, duke iu bashkuar protestave të të rinjve që po zhvillohen në disa qytete të vendit. Siç kishin paralajmëruar një ditë më parë, studentët kanë nisur mobilizimin në kampusin universitar në Spitallë, me synimin për të vijuar protestën në sheshin qendror të qytetit.
Fillimisht, studentët janë mbledhur në oborrin e kampusit të UAMD-së, ku kanë bërë thirrje për bojkotimin. Më pas ata janë futur në godinën e Fakultetit Ekonomik, ku u kanë bërë apel studentëve që ndodheshin në auditorë të ndërpresin mësimin dhe t’u bashkohen në tubim.