Të paktën shtatë alpinistë, përfshirë pesë të huaj dhe dy nepalezë, kanë vdekur pasi u goditën nga një ortek në një majë të Himalajeve në Nepalin verilindor, tha agjencia e ekspeditës Seven Summit Treks. Incidenti ndodhi në orën 09:00 sipas orës lokale (03:15 GMT) të hënën pranë kampit bazë të malit Yalung Ri në distriktin Dolakha. Ekipet e shpëtimit gjetën dy trupa dhe ende po kërkojnë për pesë të tjerët, të cilët besohet se janë varrosur nga bora. Tetë të tjerë janë shpëtuar dhe ndodhen në kryeqytetin Katmandu duke marrë trajtim për lëndimet e tyre.
Të gjithë këta alpinistë ishin pjesë e një grupi që u nis më shumë se një orë para se të binte orteku, tha shefi i policisë së qarkut për BBC Nepali. Trupat e pesë alpinistëve të tjerë të ndjerë “mund të jenë 10-15 metra nën dëborë”, tha Mingma Sherpa, kryetar i Seven Summit Treks. “Do të duhet kohë për t’i gjetur ata.”.
Viktima kanë ngelur dy italianë, një kanadez, një gjerman, një francez dhe dy nepalezë që shërbenin si udhërrëfyes. Zëvendësdrejtori lokal i policisë, Gyan Kumar Mahato, i tha BBC-së të hënën se një helikopter shpëtimi kishte zbarkuar në zonën Na Gaun të Dolakha-s – pesë orë ecje nga kampi bazë i Yalung Ri.