Tetë shtete anëtare kundër hapjes së grupkapitullit të radhës të negociatave të Serbisë me BE-në

Në një goditje të fortë për përpjekjet e Beogradit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ambasadorët e vendeve të BE-së, të mbledhur të mërkurën në Bruksel, nuk arritën të gjenin unanimitetin për ecurinë e Serbisë drejt anëtarësimit në bllok.

Tetë nga 27 shtetet anëtare kundërshtuan hapjen e Grupkapitullit 3, i cili fokusohet te konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, gjatë një takimi të ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, konfirmuan për Euronews tre diplomatë të BE-së.

Shtetet që kundërshtojnë hapjen e Grupkapitullit 3 janë: Holanda, Suedia, Finlanda, Belgjika, Estonia, Lituania, Bullgaria dhe Kroacia.

Tre shtete të tjera, Danimarka, Luksemburgu dhe Letonia, nuk janë aq kundërshtuese, por ende nuk janë bindur. Ndërkohë, ndër mbështetësit kryesorë të anëtarësimit të Serbisë është Franca.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar më herët se BE-ja ka nevojë për një “Serbi të fortë dhe demokratike” në krahun e saj.

Shtetet mbështetëse shqetësohen se një qëndrim refuzues mund ta largojë edhe më shumë vendin e Ballkanit Perëndimor nga Bashkimi Evropian dhe se përpjekjet e tij për reforma nuk po shpërblehen.

“Standarde të dyfishta”
Serbia aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2009 dhe mori statusin zyrtar të vendit kandidat në vitin 2012. Gjatë kësaj periudhe janë hapur 22 kapituj negociues dhe dy prej tyre janë mbyllur përkohësisht.

Për hapjen dhe mbylljen e çdo grupkapitulli negociues kërkohet mbështetja unanime e të 27 shteteve anëtare të BE-së. Grupkapitujt janë grupime tematike të fushave të ndryshme të legjislacionit dhe politikave.

Ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabić, ka kundërshtuar pretendimet se vendi i saj është pro-rus, duke deklaruar për Euronews se Serbia e ka mbështetur Ukrainën që nga fillimi i pushtimit të plotë rus, ndërsa akuzoi Bashkimin Evropian për atë që e cilësoi si “standarde të dyfishta” në procesin e anëtarësimit.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha Euronews të hënën se një dokument, i cili shpjegon arsyet pse ekzekutivi i BE-së beson se “hapat e fundit” të ndërmarrë nga autoritetet serbe justifikojnë hapjen e Grupkapitullit 3, u ishte shpërndarë vendeve anëtare po atë ditë.

Sipas dokumentit, të parë nga Euronews, Serbia ka zbatuar pjesë të konsiderueshme të angazhimeve të marra për t’iu përgjigjur shqetësimeve të shteteve anëtare. Këto përfshijnë shfuqizimin e amendamenteve të diskutueshme në ligjet për gjyqësorin, si dhe përparim në lirinë e medias, kuadrin zgjedhor dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Edhe pse Serbia ende nuk është harmonizuar me sanksionet e BE-së kundër Rusisë për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës, Komisioni vëren se Beogradi ka bashkëpunuar me BE-në për të parandaluar shmangien e sanksioneve, ka ofruar mbështetje të konsiderueshme për Ukrainën dhe ka intensifikuar kontaktet politike të nivelit të lartë me Kievin.

Dokumenti gjithashtu pranon se puna e Serbisë është ende larg përfundimit, duke theksuar se “nevojitet ende punë e mëtejshme” në reformën e sistemit gjyqësor dhe të prokurorisë.

Takimi i së mërkurës u zhvillua pikërisht për të parë nëse ky vlerësim ndahet edhe nga kryeqytetet e vendeve anëtare.

“Zhvillime pozitive”
Një diplomat i BE-së, i cili foli për Euronews në kushte anonimiteti, tha se kundërshtimi i tetë vendeve lidhej kryesisht me problemet e Serbisë në fushën e shtetit të së drejtës dhe me “mosharmonizimin me sanksionet”.

Një diplomat tjetër tha se disa shtete anëtare pajtohen me vlerësimin pozitiv të Komisionit, duke argumentuar se Serbia “i ka përmbushur” ose “është në rrugën e duhur” për të përmbushur kriteret për të ecur përpara me Grupkapitullin 3.

Disa zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë mbështetur publikisht hapjen e Grupkapitullit 3, veçanërisht pasi presidenti serb Aleksandar Vuçiç tërhoqi në qershor amendamentet e debatueshme për gjyqësorin, pas rekomandimeve për ndryshim nga Komisioni i Venecias.

Mes mbështetësve më të fortë është edhe Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos.

“Në dritën e disa zhvillimeve të fundit pozitive, Komisioni rinovoi rekomandimin e tij ndaj Këshillit për të hapur Grupkapitullin 3 në negociatat e anëtarësimit me Serbinë”, deklaroi Kos të martën gjatë debatit për anëtarësimin e Serbisë në Parlamentin Evropian në Strasburg.

“Komisioni do të vazhdojë gjithashtu të inkurajojë përparimin e mëtejshëm të reformave, në dobi të të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe të gjithë shoqërisë serbe.”

“Të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian”
Po të mërkurën, deputetët e Parlamentit Evropian në Strasburg votuan me shumicë dërrmuese në favor të raportit për zgjerimin e Serbisë për vitin 2025, me 468 vota pro, 116 kundër dhe 79 abstenime.

Raporti i Komisionit përfshin rekomandime për reformimin e mënyrës së zhvillimit të zgjedhjeve, forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Ai rithekson gjithashtu se Grupkapitulli 3 është teknikisht gati për t’u hapur.

Eurodeputeti kroat Tonino Picula (Aleanca Progresiste e Socialistëve dhe Demokratëve), raportues i këtij raporti, deklaroi në një konferencë për shtyp pas votimit se situata në Serbi është “përkeqësuar” gjatë viteve të fundit.

Sipas tij, reformat kanë ngecur dhe ritmi i tyre është ngadalësuar.

“Ndërsa Bashkimi Evropian po përjeton një moment të ri për zgjerimin, me Malin e Zi dhe Shqipërinë fqinje që po avancojnë negociatat e tyre të anëtarësimit, reformat e lidhura me BE-në në Serbi kanë ngecur në masë të madhe në disa fusha kyçe, veçanërisht në shtetin e së drejtës dhe standardet demokratike”, tha ai.

I pyetur nga një gazetar se përse qëndrimi i Parlamentit Evropian ndryshon nga rekomandimi i Komisionit për hapjen e Grupkapitullit 3, Picula tha se kjo e kishte habitur.

“Ne e bazuam raportin tonë mbi shumë vlerësime dhe mbi të gjitha elementet që rrjedhin nga raportet e vetë Komisionit. Prandaj për ne është e paqartë se ku e sheh Komisioni këtë përparim”, u përgjigj ai.

Pas publikimit të raportit në fund të vitit të kaluar, presidenti Vučić mbrojti gatishmërinë e vendit të tij për të zbatuar reformat.

“Ne duhet të marrim në konsideratë të gjitha vërejtjet, të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian”, tha Vučić në atë kohë, duke shtuar: “Serbia është shumë e përkushtuar ndaj rrugës së saj drejt Bashkimit Evropian dhe do ta ndjekë atë me shumë seriozitet dhe përgjegjësi.”/Euronews.com, përshtati në shqip

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top