Edin Dzeko i thotë lamtumirë Italisë, Serisë A dhe Inter teksa përgatitet për aventurën e re në Turqi. Kalimi te Fenerbahce është një punë e përfunduar. Sulmuesi boshnjak ka arritur marrëveshje me klubin e Stambollit, duke nënshkruar pas ekzaminimeve mjekësore. Vetë Fenerbahce bëri të ditur ardhjen e tashmë ish-lojtarit të zikaltërve: “Sulmuesi me famë botërore Edin Dzeko do të vijë në Stamboll për të kaluar testet mjekësore dhe për të përfunduar negociatat e transferimit. Më pas do të prezantohet para publikut tonë”.
Dzeko, i cili mbushi 37 vjeç më 17 mars, largohet nga Italia pas gjashtë sezonesh te Roma dhe dy te Inter. 260 paraqitje me fanellën e verdhekuqve dhe 119 gola, 101 ndeshje dhe 31 gola për zikaltrit. Në Milano Dzeko fitoi 4 trofe, dy Kupa të Italisë dhe dy Superkupa.
Qendërsulmues, mesfushor ofensiv, playmaker i avancuar: Edin ishte i aftë të bënte gjithçka, teknikisht mbi mesataren, taktikisht me inteligjencë të rrallë. Nuhatja e golit, vizioni i lojës, eksperienca, fiziku: një lojtar i shkëlqyer që tani ka zgjedhur kampionatin turk për t’i dhënë fund karrierës së tij. Boshnjaku megjithatë tani për tani është një sulmues që është ende i aftë për gjëra të mëdha dhe larg daljes në pension.