“Paris pa gjenij” shkroi l’Equipe një ditë pas një tjetër dështimi evropian të PSG. Francezët u eliminuan në fazën e 1/8 nga Bayern Munich, me një performancë zhgënjyese. E tani gazeta franceze siguron se klubi i Al Khelaifi është gati për një tjetër revolucion me zhurmë milionash në merkato. Synimi është të fitojë më në fund Champions League. E sheiku i PSG, shkruajnë në Francë, nuk do të kursejë asnjë shpenzim. Luis Campos ka bërë tashmë kontaktet e para me disa nga lojtarët që dëshiron të sjellë në Paris verën e ardhshme. Në listën që zbulon gazeta bëjnë pjesë edhe Milan Skriniar, i cili do të mbërrijë si transferim i lirë dhe Victor Osimhen, për të cilin PSG do të kishte gati një ofertë prej 150 milionë eurosh.
Negociatat për sulmuesin e Napolit, i cili ka kontratë me të kaltrit deri në vitin 2026, përvecse e shtrenjtë, nuk do të jetë aspak e lehtë. Siç e pranoi vetë, nigeriani ëndërron Premier League për të ardhmen. Por ditët e fundit ka patur një “takim sekret” (asnjëherë i konfirmuar) mes Luis Campos dhe menaxherit të Osimhen në Paris. Idea është për të parë nëse ish-sulmuesi i Lille është i hapur për një rikthim në Ligue 1.
Me 19 gola në 21 ndeshje të kampionatit (21 në 26 gjithsej) nigeriani po e tërheq Napolin drejt një titulli që i mungon prej 33 vitesh. Por përballë një oferte të parezistueshme De Laurentiis nuk do të ngurronte të hiqte dorë nga ylli i tij. E 150 milionë janë sigurisht një ofertë e tillë.
JA EMRAT E PËRZGJEDHUR
Jo vetëm Osimhen megjithatë. Mund të jetë një revolucion i vërtetë dhe gjithçka mund të fillojë nga rinovimet e munguara të Messi dhe Sergio Ramos dhe nga lamtumira e Neymar. Goditja e parë do të jetë Milan Skriniar, por me të mund të vijë edhe Pau Torres i Villareal. Në mesfushë 24-vjeçar i PSV Ibrahim Sangaré, 21-vjeçari i Borussia Monchengladbach Manu Koné e Bernardo Silva i Manchester City. Në vijën e parë të sulmit edhe Goncalo Ramos i Benfica. Ndërsa nga Lioni, mund të mbërrijë edhe ylli në rritje i futbollit francez, Rayan Cherki. Për të parisienët e kishin provuar edhe në janar. Tetë emra të nivelit të lartë. Një përzierje lojtarësh të rinj dhe lojtarësh më me përvojë për revolucionin e panumërt në Paris.