Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufca për mandatar për kryeministër të Kosovës. Ai iu referua postit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës, ku Konjufca ishte caktuar në ekzekutivin e propozuar nga Kurti më 26 tetor- por që nuk mori mbështetjen e 61 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kurti tha po ashtu se në këtë mënyrë mund të shmangen dy palë zgjedhje dhe Kuvendi të miratojë buxhetin për vitin 2026. Sipas tij, nëse vendi shkon në zgjedhje në dhjetor pa buxhet, do të rrezikohej shteti.
“Unë marr vendin e Glaukut, e ai timin, siç jemi dakorduar bashkë mbrëmë. Caktimi i mandatarit të dytë në këto rrethana është domosdoshmëri. Le ta votojë opozita një qeveri të udhëhequr nga Glauku”, tha kreu i LVV-së, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Kjo mbledhje e LVV-së vjen vetëm një ditë para se të kalojë afati 10-ditor i presidentes Vjosa Osmani, për t’i dhënë dikujt mandatin për formimin e Qeverisë së re të Kosovës apo për të shpallur zgjedhje të reja. Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e cilësoi si shfaqje teatrale mbledhjen e LVV-së, që i cilësoi si mandatar pa numra, pa shumicë e pa legjitimitet demokratik.
“Dua të besoj se presidentja e Republikës, do të respektojë vullnetin e shumicës shqiptare, para mbledhjeve propaganduese të partive me mandatarë plot por pa shumicë paralamentare”, shkroi ai në Facebook.