Kuvendi i Kosovës do të mblidhet ditën e sotme për të 37-në herë për konstituim. Ndonëse nuk ka ndonjë zhvillim të ri që pritet t’i jap zgjidhje ngërçit politik, partitë politike janë në pritje të Gjykatës Kushtetuese lidhur me votimin për Komisionin zgjedhor që do të mundësonte votim të fshehtë për kryetarin e Kuvendit.
Partitë politike aktualisht nuk po lëvizin nga qëndrimet e tyre. Lëvizja Vetëvendosje nuk po heq dorë nga emri i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërsa për partitë tjera, PDK, LDK dhe AAK-në ky emër është i papranueshëm për kreun e Kuvendit.
PDK dhe AAK kanë deklaruar se do të votojnë pro kandidatëve tjerë për kryetar të Kuvendit, por jo për Albulena Haxhiun, ndërkohë LDK ka thënë se nuk do ta votojnë asnjë emër. Ndryshe, zgjedhjet e përgjithshme parlamentare janë mbajtur më 8 shkurt.
Mbi katër muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, për shkak të mospajtimit rreth kryeparlamentarit, vendi ka mbetur pa institucione të reja. LDK-ja, që doli e treta në zgjedhje ka paraqitur një plan me 15 pika për një qeveri uniteti, duke i ftuar të gjitha partitë që ta formojnë një ekzekutiv të tillë, në mënyrë që vendi të dalë nga kriza.
Propozimi është refuzuar nga LVV-ja, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur se preferojnë formimin e një qeverie me partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë pra, duke përjashtuar LVV-në. Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri. Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur në fillim të qershorit se vonesa në konstituim të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përparimin e vendit drejt agjendës euroatlantike.