Këtë të premte kanë nisur reshjet e para të borës në qarkun e Kukësit. Bora ka filluar të bjerë në zonat malore mbi 700 metra mbi nivelin e detit, duke sjellë ulje të mëtejshme të temperaturave. Reshje bore janë shënuar edhe në afërsi të tunelit të Kalimashit, përgjatë Rrugës së Kombit. Megjithatë, deri në këto momente, bora nuk ka krijuar shtresa që të pengojnë lëvizjen.
Gjatë dy ditëve të fundit Kukësi është përfshirë nga temperatura mjaft të ulëta. Në zonat e thella malore termometri ka zbritur nga -3 deri në -16 gradë Celsius. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë vëmendje të shtuar, sidomos gjatë orëve të natës dhe mëngjesit herët.