Rrejti social Telegram ndryshon rregullat. Aplikacioni i mesazheve do tu dorëzojë autoriteteve gjyqësore adresat IP të përdoruesve, për të gjurmuar identitetin e njerëzve dhe numrat e telefonit në rast të procedimeve ligjore kundër tyre. Lajmin e ka bërë të ditur themeluesi i Telegram, Pavel Durov, përmes një postimi në kanalin e tij.
Një ndryshim për platformën që mori kritika për përmbajtjen e saj, sepse bashkëpunonte pak me autoritetet dhe jepte të dhëna përdoruesi vetëm në rast dyshimi për aktivitete terroriste. Lajmi vjen pasi Durov u arrestua në Paris në fund të gushtit me akuzën se ishte bashkëpunëtor i aktiviteteve të paligjshme të lejuara nga Telegram. Më pas, Durov u lirua me kusht me ndalimin e daljes nga territori francez dhe detyrimin për t’u paraqitur në polici dy herë në javë.
“Ne nuk do të lejojmë që aktorët e këqij të rrezikojnë integritetin e platformës sonë prej gati 1 miliardë përdoruesish,” tha Durov në mesazhin e tij.
Sipas themeluesit të Telegram, platforma ka punësuar një ekip specialistësh javët e fundit, të cilët duke përdorur inteligjencën artificiale, e kanë bërë funksionin e kërkimit më të sigurt.
“E gjithë përmbajtja problematike në kërkim nuk është më e aksesueshme”, shton Durov.