Telefonata/ Europa mbështet Donald Trump me rezerva për Putin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka mbështetjen e partnerëve perëndimorë për nismën e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pasi kryeqytetet europiane shprehën aprovimin e tyre në lidhje me bisedimet me Vladimir Putinin në Alaskë.

Trump foli të shtunën në mëngjes me liderë të lartë të BE-së, pasi samiti dypalësh të premten përfundoi pa një marrëveshje.

Në bisedën telefonike mori pjesë edhe Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, së bashku me të dërguarin special të Trump, Steve Witkoff, dhe Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.

Kryeministri francez Emmanuel Macron, Kancelari gjerman Friedrich Merz, Kryeministri britanik Keir Starmer, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, Presidenti finlandez Alexander Stubb, Presidenti polak Karol Nawrocki dhe Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u konfirmuan nga Brukseli si pjesëmarrës. Liderët europianë më pas zhvilluan një telefonatë të dytë pa Zelenskyn dhe amerikanët për të diskutuar situatën.

Në një deklaratë, Zelenskyy tha se pati një bisedë të “gjatë dhe thelbësore” me Trump, fillimisht vetëm për vetëm, përpara se t’u bashkoheshin liderë të tjerë. “Ne mbështesim propozimin e Presidentit Trump për një takim trepalësh mes Ukrainës, SHBA-së dhe Rusisë,” tha ai, duke shtuar se do të udhëtojë të hënën në Uashington për t’u takuar me Trump.

“Siç parashikohet nga Presidenti Trump, hapi tjetër duhet të jenë bisedime të mëtejshme që përfshijnë Presidentin Zelenskyy, me të cilin ai do të takohet së shpejti,” thuhej në deklaratën e përbashkët të vendeve europiane pjesëmarrëse në thirrje. “Ne jemi gjithashtu gati të punojmë me Presidentin Trump dhe Presidentin Zelenskyy drejt një samiti trepalësh me mbështetje europiane.”

Trump, duke shkruar në Truth Social të shtunën në mëngjes, tha se gjatë telefonatës “u vendos nga të gjithë se mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme mes Rusisë dhe Ukrainës është arritja e një Marrëveshjeje Paqeje, e cila do ta përfundonte luftën, dhe jo një marrëveshje thjesht Armëpushimi, që shpesh nuk funksionon.”

Takimi i së hënës
“Presidenti Zelenskyy do të vijë në Uashington, në Zyrën Ovale, të hënën pasdite,” shtoi Trump. “Nëse gjithçka shkon siç duhet, më pas do të caktojmë një takim me Presidentin Putin.”

Megjithatë, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, u shpreh ndryshe. Duke përshëndetur “vendosmërinë e Trump për të arritur një marrëveshje paqeje,” ajo këmbënguli se “realiteti i ashpër është se Rusia nuk ka ndërmend ta përfundojë këtë luftë së shpejti.” Ajo kërkoi masa më të forta për ta detyruar Moskën të ulet në tryezën e negociatave.

Sipas dy diplomatëve të BE-së, të shtunën në mëngjes u thirr një takim i jashtëzakonshëm i ambasadorëve të 27 vendeve anëtare për të diskutuar hapat e ardhshëm të bllokut. Ambasadorët u kërkuan të takoheshin në “format të kufizuar”, pa asistentë apo telefona, për të minimizuar rrjedhjen e informacionit.

Megjithëse Trump i ofroi një pritje të ngrohtë Putinit, i cili është i shpallur në kërkim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime lufte, bisedimet e së premtes në bazën ushtarake Joint Base Elmendorf-Richardson në Alaskë nuk prodhuan një përparim diplomatik.

“Nuk ia dolëm tani, por kemi një shans shumë të mirë që të arrijmë atje,” tha Trump, duke pretenduar se bisedimet ishin “shumë produktive” dhe sollën dakordësi mbi “shumë pika.” Ai premtoi të flasë me palën ukrainase, si dhe me aleatët europianë, sepse “në fund të fundit kjo u takon atyre.”

Putin, nga ana e tij, refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve nga mediat ndërkombëtare dhe vazhdoi të pretendonte se sulmi i tij i gjithanshëm ndaj Ukrainës dhe përpjekjet për të kapur territore diktoheshin nga “kërcënime themelore ndaj sigurisë sonë.” Edhe pse nuk bëri ndonjë lëshim publik, ai la të kuptohej se ishte arritur një “marrëveshje” me Trump që “mund të na ndihmojë të afrohemi drejt këtij qëllimi dhe do të hapë rrugën drejt paqes në Ukrainë.”

Sipas dy diplomatëve, ambasadorëve të BE-së u është thënë se SHBA-ja ka informuar se Rusia kërkon lëshime territoriale, por Kremlini nuk ka dhënë ende detaje. Moska gjithashtu kërkon garanci për rolin e gjuhës ruse dhe sigurinë e kishave ortodokse ruse në Ukrainë, thanë diplomatët.

Ata shtuan gjithashtu se Trump duket se anon nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje dhe jo nga një armëpushim, pasi kjo përputhet më shumë me aspiratat e tij për Çmimin Nobel të Paqes, edhe pse një rrugë e tillë mund të zgjasë muaj apo vite. Trump ka thënë se dëshiron rezultate shpejt, ndaj ende nuk është e qartë se ku do të vendoset kufiri në këtë pikë.

Franca, Gjermania dhe Britania do të mbajnë një takim të “Koalicionit të Vullnetit” të dielën pasdite, përpara vizitës së Zelenskyt në Zyrën Ovale të hënën, tha presidenca franceze të shtunën.

Paralajmërimi nga Ukraina

Ndërkohë, Zelenskyy paralajmëroi se Moska mund të përpiqet të fitojë më shumë territore në Ukrainë përpara çdo takimi të mundshëm trepalësh.

“Bazuar në situatën politike dhe diplomatike rreth Ukrainës, dhe duke njohur tradhtinë e Rusisë, ne parashikojmë që në ditët e ardhshme ushtria ruse mund të përpiqet të rrisë presionin dhe sulmet ndaj pozicioneve ukrainase për të krijuar rrethana më të favorshme politike për bisedime me aktorët globalë,” tha udhëheqësi ukrainas në një postim në X të shtunën.

Kryeqytetet europiane kishin shprehur privatisht shqetësime për mundësinë e një takimi me dyer të mbyllura mes Trump dhe Putin ku Ukraina nuk ishte e ftuar të merrte pjesë. Megjithatë, liderët u shfaqën publikisht optimistë pas një samiti virtual me presidentin amerikan javën e kaluar, ku ai dha siguri se nuk do të impononte lëshime territoriale pa miratimin e Kievit.

Administrata e Trump gjithashtu kishte zhvilluar diskutime të hapura në një mënyrë të paprecedentë me partnerët ndërkombëtarë në prag të bisedimeve në Alaskë, duke informuar rregullisht NATO-n dhe BE-në paraprakisht.

Të shtunën, liderët europianë theksuan gjithashtu rëndësinë e garancive të sigurisë për Ukrainën, si dhe aspiratat e saj për NATO dhe BE.

“Ne jemi të qartë se Ukraina duhet të ketë garanci të hekurt sigurie për të mbrojtur me efektivitet sovranitetin dhe integritetin e saj territorial,” thuhej në deklaratën e liderëve europianë. “Nuk duhet të vendosen kufizime mbi forcat e armatosura të Ukrainës ose mbi bashkëpunimin e saj me vende të treta. Rusia nuk mund të ketë të drejtë vetoje ndaj rrugëtimit të Ukrainës drejt BE-së dhe NATO-s,” thuhej aty.

Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, tha se institucioni mirëpret “përpjekjet dhe angazhimin e Trump me liderët europianë përpara takimit të së hënës me Presidentin Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë. Qëllimi është i qartë: një paqe e qëndrueshme e ndërtuar mbi garanci të forta dhe të besueshme sigurie. Për Ukrainën dhe për Europën,” shkroi ajo në një postim në X./ Politico.eu, përshtati Lapsi.al

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top