Të përballemi me të vërtetën: Arti shqiptar nuk
rilind me figurat e vjetra
“Kombet nuk i vret pushteti. I vret gënjeshtra.”
Nga Flamur Bucpapaj
"Nacional Gazetë Kulturore dhe Shkencore – e vetmja gazetë
shqiptare pa lidhje partiake
Për më shumë se pesëdhjetë vjet, kultura dhe arti në Shqipëri
ishin të nëpërkëmbur nga një regjim totalitar që i përdori ato si
vegla propagande dhe instrumente të kontrollit ideologjik.
Gjatë kësaj kohe, shumica e atyre që u konsideruan “artistë të
mëdhenj”, “shkrimtarë të realizmit socialist”, “aktorë të skenës
dhe filmit”, në fakt nuk i shërbyen artit, por diktaturës. Ata nuk
ishin përfaqësues të frymës krijuese, të së bukurës apo të
shpirtit të lirë, por zëdhënës të shtetit komunist dhe ndihmës të
një makinerie shtypëse që ndërtoi për dekada një realitet të
falsifikuar dhe ideologjikisht të sterilizuar.
Shumica e tyre, veçanërisht në institucionet si Teatri Kombëtar
dhe Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), jo vetëm që nuk e
sfiduan regjimin, por u bënë bashkëpunëtorë të ngushtë të tij.
Ndërsa artistët e vërtetë persekutoheshin, burgoseshin ose
heshteshin, këta emra ndërtonin karrierat mbi heshtjen
kolektive dhe bashkëfajësinë. Ishin anëtarë partie, sekretarë të
organizatave bazë, persona me "biografi të mirë", që përfitonin
nga privilegjet në këmbim të heshtjes, nënshtrimit dhe
mbështetjes së vijës së partisë. Shumë prej tyre morën pjesë
drejtpërdrejt në luftën e klasave, në përjashtimin e kolegëve të
tyre nga skena, libri, filmi dhe jeta publike.
Ironikisht, sot disa nga këto figura vazhdojnë të mbahen në
poste simbolike e drejtuese. Janë në këshillin drejtues të RTSH-
së, janë emëruar në borde të institucioneve kombëtare, apo
vazhdojnë të promovohen si “ikona” të kulturës shqiptare,
ndonëse bota jashtë Shqipërisë as që i njeh, dhe as që i pranon
si përfaqësues të artit. Psh njëfarë Iir Keko Egjejmë kudo në
borde Në vend të tyre, në skenën kombëtare duhet të jenë
emrat e brezit të ri, të atyre që janë shkolluar pas viteve ’90, që
kanë fituar çmime ndërkombëtare, që sjellin freski, modernitet
dhe përfaqësojnë frymën e një Shqipërie të lirë dhe të hapur.
Ka ardhur koha për të thënë mjaft. Ne nuk mund të ndërtojmë
një identitet të ri kulturor, nëse mbajmë në krye njerëz që për
dekada ndihmuan regjimin me zell dhe dëshirë. Nuk mund të
flasim për rilindje kulturore, nëse në institucionet tona
udhëheqin ende ata që mohuan origjinën, që nuk pranuan as
përkatësinë kombëtare, duke u paraqitur si të huaj për të
shpëtuar veten.
Në të njëjtën kohë, është e turpshme që në institucionet e
rëndësishme kulturore të vendit të vazhdojnë të kenë rol
drejtues disa individë pa vepra, pa njohje ndërkombëtare, që
nuk njihen jashtë rrethit të mbyllur të artit zyrtar shqiptar. Nuk
ka kuptim që në vend të promovojmë artistë të rinj, regjisorë të
suksesshëm, dramaturgë dhe shkrimtarë të vlerësuar në
Europë, ne vazhdojmë të riciklojmë emra të konsumuar nga e
kaluara.
Shembulli i artistëve turq që po bëjnë bujë ndërkombëtare, apo
i kineastëve e aktorëve nga vende të tjera ish-komuniste që
kanë sfiduar të kaluarën dhe kanë ndërtuar një identitet të ri
krijues, tregon qartë se çfarë mund të bëjë një vend kur
përballet me të shkuarën në mënyrë të ndershme.
Prandaj, duhet një pastrim i thellë moral dhe institucional.
Duhet të ketë një ndarje e qartë mes artit të lirë dhe artit të
kontrolluar, mes artistit të vërtetë dhe propagandistit, mes
krijuesit dhe servilit. Të gjitha vendet ish-komuniste e kanë
kaluar këtë proces, ndonëse me vështirësi. Shqipëria duhet ta
përballojë me kurajo dhe maturi.
Rilindja kulturore e Shqipërisë nuk mund të ndodhë me fytyrat
e vjetra të diktaturës. Ajo do të vijë vetëm atëherë kur do të
hapim dyert për brezin e ri, për zërat e pavarur, për ata që nuk
kanë frikë nga e vërteta dhe që nuk i shërbejnë asnjë ideologjie,
përveç asaj të lirisë dhe të së bukurës. Tashmë ka vetem një
tribunë kulure shkence dhe arkeologjie Gazeta ‘’Nacional’’
PSE EKZISTON KJO GAZETË
"Nacionalja Kulturore dhe Shkencore – e vetmja gazetë
shqiptare pa lidhje partiake.
Ajo nuk i shërben asnjë interesi politik, por vetëm kulturës,
dijes dhe shpirtit krijues shqiptar. Është tribunë e hapur për
poezinë, tregimin, eseistikën, kritikën letrare, mendimin e lirë
dhe për zërat e rinj që kërkojnë të dëgjohen në një botë gjithnjë
më të zhurmshme e të polarizuar.
Kjo gazetë i përket gjithë shqiptarëve të mendimit, dijes dhe
artit.
Ajo boton krijime të autorëve të afirmuar dhe u jep hapësirë
emrave të rinj nga çdo trevë shqipfolëse.
Për ne, fjala është akt i lirisë dhe kultura – përmasë e
mbijetesës kombëtare."
Gazeta Nacional Albania është një botim që përqendrohet në
letërsi, poezi, ese, prozë, analiza kulturore, intervista dhe lajme
nga bota e artit dhe kulturës
Ekziston prej më shumë se 16 vjetësh, me një rrjet shpërndarës
që përfshin gjithë Shqipërinë dhe Ballkanin .Themelues është
Dr. Mujë Buçpapaj, poet, studiues dhe pedagog, i njohur
veçanërisht si drejtuesi/editori i këtij botimi me përvojë të
thellë në fushën e kulturës dhe lirisë së shtypit
Fjala e lirë është oksigjeni i artit
Nga glorifikimi i së shkuarës te uzurpimi i së tashmes
Problemi nuk është vetëm i së kaluarës. Problemi është se
modelet e vjetra po uzurpojnë të tashmen. Në një kohë kur
bota po njeh artistë shqiptarë të rinj, shkrimtarë që botojnë në
gjuhë të huaja, aktorë që marrin çmime ndërkombëtare,
regjisorë që hapin dyert e festivaleve evropiane — në Shqipëri
promovohen ende figura që nuk i njeh askush jashtë sistemit të
mbyllur mediatik.
Kjo është një padrejtësi e madhe për talentin e ri dhe një sinjal i
rrezikshëm për shoqërinë: sikur suksesin nuk e fiton me vepra,
por me lidhje, trashëgimi politike, nostalgji dhe klientelizëm.
Kjo është një formë e re e censurës, më e sofistikuar, por po aq
e dëmshme sa ajo e dikurshme: kur talenti i vërtetë
përjashtohet nga hapësira publike sepse nuk është “i joni”, nuk
ka qenë me partinë, nuk ulet në kafene me drejtuesit, nuk
shkruan në gazetat “e kontrolluara”.
Fatkeqësisht, jemi duke parë një rikthim të klonuar të
diktaturës në fushën e kulturës.
Në vend të gjykohet një vepër nga cilësia dhe ndikimi i saj në
shoqëri, gjykohet nga emri, biografia e familjes dhe bindjet
politike. Kjo është logjika e luftës së klasave e kthyer pas
tridhjetë vitesh, në një formë të heshtur, por po aq helmuese.
Është koha për ndryshim të thellë
Sot nuk mjafton të dënojmë diktaturën me fjalë. Duhet ta
çmontojmë nga rrënjët ndikimin e saj në kulturë, në art, në
institucionet publike, në mediat e mëdha, në mënyrën se si
përzgjidhen përfaqësuesit e letërsisë dhe artit shqiptar brenda
dhe jashtë vendit.
Duhet:
Të largohen nga drejtimi i institucioneve ata që përfaqësojnë
ideologji të vjetra dhe që kanë uzurpuar hapësirën përmes
lidhjeve politike dhe jo përmes veprës.
Të vendoset transparencë në përzgjedhjen e drejtuesve të
RTSH, Teatrit Kombëtar, komisioneve të çmimeve kombëtare,
dhe të institucioneve kulturore.
Të promovohen autorët dhe artistët që kanë sukses real, qasje
bashkëkohore, dhe që përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në
arenën ndërkombëtare.
Të hapet një debat i madh publik për rolin e artit gjatë
diktaturës dhe të zhvillohen projekte që i analizojnë dhe i
nxjerrin në dritë lidhjet mes krijuesve dhe strukturave të
diktaturës.
Të krijohen mekanizma të rinj mbështetjeje për krijuesit e
pavarur, që nuk janë të lidhur me partitë politike, klanet
familjare apo trashëgiminë ideologjike.
Nëse duam një Shqipëri që të ketë kulturë të vërtetë dhe që të
merret seriozisht ndërkombëtarisht, duhet të çlirojmë artin nga
kthetrat e së shkuarës. Fjala e lirë është oksigjeni i artit. Pa të,
çdo krijimtari është vetëm imitim, zbukurim i së pavërtetës,
ndonjëherë edhe mashtrim i qëllimshëm ndaj shoqërisë.
Historia e vendeve ish-komuniste na mëson se kultura nuk
rilind vetvetiu. Duhet një akt i vetëdijshëm pastrimi. Duhet të
kemi kurajën të shohim në sy të shkuarën, të ndajmë të
vërtetën nga mashtrimi, të ndajmë artin nga propaganda, të
ndajmë krijuesit nga bashkëpunëtorët e diktaturës.
Vetëm atëherë Shqipëria do të ketë një kulturë kombëtare të
vërtetë, që nuk vjen nga dosjet e partisë, por nga zemra dhe
mendja e lirë e njeriut shqiptar.
Kultura në pengmarrje: Kur kujtesa e rreme zëvendëson
historinë dhe vlerën
Mjafton të shohësh se çfarë ka ndodhur gjatë mandatit të ish-
ministres së Kulturës, Elva Margariti, për të kuptuar përmasat e
turpit institucional dhe shpërfilljes ndaj trashëgimisë kulturore
shqiptare. Në vend të mbrojtjes së vlerave dhe përkujdesjes
ndaj pasurisë sonë historike dhe artistike, jemi përballur me
shkatërrim, zhdukje dhe keqmenaxhim skandaloz.
Lulishtja që ajo promovoi me bujë nuk ekziston më. Ajo u
zhduk, u betonua apo u kthye në një rrëmujë urbane që
përfaqëson më shumë shkatërrimin e frymës publike sesa
ndonjë zhvillim kulturor. Kjo është fytyra reale e politikës së saj.
Zhdukja e materialeve të Kinostudios “Shqipëria e Re” është
krim kombëtar. Askush nuk e di ku kanë përfunduar një pjesë e
mirë e arkivave filmike, dokumentare, kostumeve historike,
pajisjeve të trashëgimisë. Në vend të transparencës, ka heshtje.
Në vend të përgjegjësisë, ka propagandë.
Kam bërë kallëzim penal në SPAK dhe i bëj thirrje sërish këtij
institucioni të vetmit që na ka mbetur si qytetarë për të kërkuar
llogari — që të veprojë pa vonesë, me transparencë të plotë,
duke hetuar jo vetëm zhdukjen e materialeve kulturore, por
edhe abuzimin me fondet publike dhe ndërhyrjet që kanë
dëmtuar hapësirat artistike dhe historike të Tiranës dhe më
gjerë.
U bëj thirrje dhe qytetarëve, artistëve, kineastëve,
shkrimtarëve dhe studiuesve të bashkohen në këtë zë të
drejtësisë. Sepse kultura nuk është pronë private e ministrave.
Është pasuri e të gjithëve. Dhe kush e shkatërron, duhet të japë
llogari.
Ashtu si në çdo vend që ka kaluar një diktaturë, edhe në
Shqipëri u krijua një kastë e privilegjuar letrare dhe artistike, që
i mbijetoi çdo sistemi përmes shërbimit ndaj pushtetit. Por
ndryshe nga vende si Gjermania Lindore, Polonia, Hungaria apo
Çekia, në Shqipëri këta njerëz nuk u përballën asnjëherë me
përgjegjësinë historike. Përkundrazi: shumë prej tyre u
promovuan edhe pas rënies së diktaturës. Madje, në sistemin
demokratik, disa prej tyre fituan më shumë ndikim se kurrë,
duke kapur pozita kyçe në media, akademi, institucione
kulturore dhe politikë.
Kjo është sëmundja e papastruar e kulturës shqiptare: të
shpërblen e kaluara, jo vlera. Të shpërblen lidhja, jo krijimtaria.
Të shpërblen heshtja e dikurshme, jo fjala e sotme. Dhe për sa
kohë nuk i jepet fund kësaj hipokrizie, shoqëria shqiptare do të
qëndrojë e burgosur brenda një iluzioni kolektiv, ku armiqtë e
dikurshëm të fjalës së lirë paraqiten si mbrojtës të saj.
Të mendosh se një ish-bashkëpunëtor i partisë, që ka
përjashtuar kolegët e vet për bindjet e tyre, sot ulet në tryezat
që përcaktojnë politikat kulturore të vendit, është një ofendim
për brezin e ri, për brezin e viktimave dhe për vetë moralin
shoqëror. Kultura nuk mund të jetë një formë e riciklimit të
turpit. Ajo duhet të jetë ndërtim mbi të vërtetën.
Kush janë “shkrimtarët” që na i servirin sot?
Sot na shfaqen në ekrane apo në libra të botuar me bujë disa
figura të së kaluarës, që vetëm falë rrjetit të vjetër dhe
nostalgjisë së ndërtuar me kujdes, mbajnë tituj si “shkrimtarë
kombëtarë”. Por çfarë kanë shkruar? Kush i lexon? Çfarë
përfaqësojnë në letërsinë moderne evropiane? Asgjë. Nuk kanë
asnjë prani në universitetet ndërkombëtare, në revistat letrare
serioze, në festivalet ndërkombëtare të artit. Kanë vetëm emrin
që u ngjit artificialisht nga shteti dikur — dhe që një sistem i
korruptuar vazhdon ta riciklojë.
Kjo është arsyeja pse nuk fitojnë kurrë çmime reale, pse
përmenden vetëm në Shqipëri, dhe pse mbështeten vetëm në
ekranet që janë kthyer në fortesa të nostalgjisë së rreme. Aty
ku realiteti falsifikohet çdo ditë, dhe publikut i imponohet një
listë e emrave të pavlefshëm si "trashëgimi kombëtare".
Çfarë duhet bërë tani?
Duhet një vetting kulturor, jo për të përjashtuar pa kriter, por
për të ndarë qartë shkrimtarin nga ideologu, artistin nga servili,
krijuesin nga funksionari.
Duhet të hapet tregu i lirë i ideve dhe i artit, ku vepra të
gjykohet për vlerën e saj, jo për lidhjet apo nostalgjitë.
Duhet që Ministria e Kulturës, RTSH, Teatri Kombëtar,
Akademia e Shkencave, Qendra Kombëtare e Librit, të
drejtohen nga figura që përfaqësojnë botën moderne dhe
bashkëkohore, jo modelin e zverdhur të artit të komanduar.
Duhet të krijohet një panteon i ri i kulturës shqiptare, ku
përfshihen ata që shkruajnë në kushte të vështira, jashtë
sistemit, që sfidojnë klishetë, që gjejnë lexues ndërkombëtar,
dhe që flasin me gjuhën e njeriut të lirë.
Përndryshe, Shqipëria do të ngelet peng i së shkuarës së vet.
Nëse nuk ndodh një pastrim moral dhe institucional, atëherë
edhe brezat e ardhshëm do të ushqehen me gënjeshtra, do të
mësojnë për heronj që në fakt ishin ideologë, për poetë që ishin
propagandistë, për artistë që ishin zëdhënës partie. Dhe
historia do të përsëritet — por këtë herë, jo nga padija, por nga
mungesa e ndershmërisë kolektive.
Kjo është koha për të zgjedhur: do të ndërtojmë një kulturë të
lirë dhe të vërtetë, apo do të ruajmë fantazmën e një arti që i
shërbeu diktaturës? Nuk ka më vend për asnjanësi. Heshtja
është bashkëfajësi.
Çfarë duhet bërë tani?
Duhet një vetting kulturor, jo për të përjashtuar pa kriter, por
për të ndarë qartë shkrimtarin nga ideologu, artistin nga servili,
krijuesin nga funksionari.
Duhet të hapet tregu i lirë i ideve dhe i artit, ku vepra të
gjykohet për vlerën e saj, jo për lidhjet apo nostalgjitë.
Duhet që Ministria e Kulturës, RTSH, Teatri Kombëtar,
Akademia e Shkencave, Qendra Kombëtare e Librit, të
drejtohen nga figura që përfaqësojnë botën moderne dhe
bashkëkohore, jo modelin e zverdhur të artit të komanduar.
Duhet të krijohet një panteon i ri i kulturës shqiptare, ku
përfshihen ata që shkruajnë në kushte të vështira, jashtë
sistemit, që sfidojnë klishetë, që gjejnë lexues ndërkombëtar,
dhe që flasin me gjuhën e njeriut të lirë.
“Kombet nuk i vret pushteti. I vret gënjeshtra.”
— Flamur Bucpapaj