Bebe Rexha ka ndezur rrjetet sociale gjatë fundjavës me një seri postimesh në platformën X (ish-Twitter), ku ka ironizuar nivelin e suksesit të saj në industrinë muzikore dhe ka pranuar me humor një sugjerim të një fansi që Taylor Swift ta menaxhojë karrierën e saj.
Gjithçka nisi kur këngëtarja e hitit “Meant to Be” postoi një meme ku (Grim Reaper) shihej duke u përgatitur të hapte derën e Rexhës, pasi kishte “liruar” më herët emra si Tinashe, Tate McRae, Sabrina Carpenter, Charli XCX dhe Zara Larsson nga e ashtuquajtura “Khia Asylum” – një term i përdorur në internet për artistët pop që, sipas fansave, mbahen “në hije” derisa të arrijnë suksesin e madh.
“Ju lutem më ndihmoni, është shumë vetmuese këtu brenda,” shkroi Rexha krahas imazhit të modifikuar.
Artistja e nominuar për Grammy publikoi gjithashtu një mesazh zanor me titull “Khia asylum day 3051”, ku me tone humoristike pretendon se është e bllokuar fizikisht në këtë “asylum” dhe po kërkon mënyra për të dalë.
“Dëgjova që Sabrina doli. Zara, Charli, ikën. Nuk u kthyen më pas. Ndërsa unë, me trupin tim dhe ‘flop’-in tim, jam ende këtu,” dëgjohet të thotë Rexha, duke shtuar me shaka se çdo ditë është e detyruar të vrapojë në tapet me taka të larta.
Më pas, këngëtarja iu përgjigj komenteve të fansave dhe kritikëve mbi vendin e saj në industrinë muzikore, duke zbuluar gjithashtu se nuk është më pjesë e Warner Records dhe tani vepron si artiste e pavarur.
Një nga fansat sugjeroi që Rexha t’i kërkonte Taylor Swift të menaxhonte karrierën e saj. “Kjo në fakt është ide gjeniale,” u përgjigj Rexha.
Dy artistet kanë pasur kontakte edhe më parë. Në një intervistë për PEOPLE në vitin 2019, Rexha tregoi për takimin me Swift në MTV VMAs, ku këngëtarja e famshme i kishte thënë se ishte “e mrekullueshme”.
Albumi i fundit i Rexhës, “Bebe”, u publikua në vitin 2023, ndërsa kënga e saj më e fundit, një bashkëpunim me Netskyme titullin “Light That Leads Me”, u lançua në vitin 2025.