Gjatë vitit të ardhëm do të përpilohen të dhënat me pasuritë dhe asetet e 12,800 individëve më të pasur të vendit për qëllime taksimi. Ministria e Financave në dokumentin afatmesëm të politikës fiskale njoftoi se do të ngrejë dhe do të aktivizojë brenda vitit 2026 të dhënat për individët më të pasur të vendit, i cili do të ketë për qëllim edhe hetimin e pasurive të pajustifikuara si dhe kryerja e hetimeve të tatimpaguesve dhe individëve bazuar në të dhënat e pasurive.
Përpos projektit të fiskalizimit, me ligjin e vitit 2020 u krijua Regjistri Qendror i Llogarive Bankare, i cili është një bazë e të dhënave shtetërore. Financat pohojnë se qëllimi i krijimit të këtij regjistri është krijimi i kushteve për parandalimin e përdorimit të sistemit financiar në Republikën e Shqipërisë, për pastrimin e parave dhe produkteve me origjinë nga vepra penale. Në vitin 2022 Shqipëria ndau informacionin e saj me më shumë se 77 juridiksione (përfshirë 24 Shtete Anëtare të BE-së) në vitin 2022.
Në Maj 2023, është krijuar Drejtoria e informacionit- Sektori i Komunikimit. Prioritare është krijimi i dy sistemeve të rëndësishme, për Tatimet më të dhënat e nevojshme mbi pasuritë totale të individëve, nga palët e treta, për të bërë investigimet përkatëse për përputhshmërinë tatimore.
Brenda vitit 2026 synohet ngritja e Regjistrit të Aseteve të tatimpaguesve me synimin e një vlerësimi real të pasurive të tatimpaguesit, dhe plotësimi i regjistrit të pasurive të tatimpaguesve për 10% të tatimpaguesve brenda vitit 2026 (12,800 persona).
Për krijimin e regjistrit do të përdoren të dhëna nga palë të treta si nga regjistri i shërbimeve publike (elektrike, ujë , regjistri i automjeteve, bashkive për t’i mundësuar Administratës Tatimore hetimin e pasurive të pajustifikuara te taksapaguesve me afat deri dhjetor 2026.
Ndërtimi i Regjistrit të Aseteve të Tatimpaguesve synon vlerësimin real të pasurisë së tatimpaguesve, ndërtimin e një sistemi verifikimi dhe gjurmimi të të ardhurave të tatimpaguesve, kontrollin e plotë të pagesave të kryera për tatimin në pronë. Disa nga problematikat e evidentuara për krijimin e Regjistrit të Pasurive të Tatimpaguesve janë mungesa e regjistrave digjitale nga palët e treta (Kadastër, DPSHTRR, Aviacioni Civil, Autoriteti Detar, etj.) dhe informacioni që merret manualisht është i pastrukturuar.
Krijimi i Regjistrit është parashikuar të bëhet brenda vitit 2026. Ky proces do të kalojë në 2 faza: e para krijimi i një Regjistri të Aseteve me atributet përkatëse, për 10% të tatimpaguesve brenda vitit 2026 dhe e dyta analiza e të dhënave./ Monitor