Ndoshta sepse drejtori i ri sportiv i Milan është nga Shqipëria, apo sepse ndoshta vërtetë Igli Tare i sheh si goditje të mundshme, por merkato verore e kuqezinjve është mbushur me emra futbollistësh shqiptar. Në Itali e japin të sigurtë se pas mosrinovimit të Berat Gjimshitit me Atalantën fshihet Milan, The Sun pretendon se Armando Broja është nën vëzhgimin e kuqezinjve me Chelsea që i ka treguar derën, ndërsa tani nga faqet e Sportmediaset vjen lajmi se Tare I ka hedhur sytë nga Granit Xhaka.
E gjitha kjo sepse kalimi i Tijjani Reijnders te Manchester City është praktikisht i përfunduar. Mungojnë vetëm disa detaje për transferimin e holandezit për 55 milionë euro + 15 milionë bonuse. Fillimisht, vizitat mjekësore rutinë. Pikërisht për këto të fundit, trajneri i kombëtares holandeze, Ronald Koeman, ka dhënë disa të dhëna kohore: “Tijjani Reijnders do të kryejë vizitat mjekësore me Manchester City të dielën (8 qershor)”.
Ka pra një boshllëk të rëndësishëm për t’u mbushur në mesfushë. Kuqezinjtë gjenden përballë nevojës për të rindërtuar repartin pas shitjes së Reijnders. Dhe kështu, pas goditjes Modric, drejtori Tare kërkon sërish përvojë për mesin e fushës së Milanit: klubi po vlerëson shqiptarin e Zvicrës Granit Xhaka, që luan për Bayer Leverkusen. Ai ka kontratë me Leverkusen deri më 30 qershor 2028 dhe fiton mes 2 dhe 2.5 milionë euro neto në vit.
Edhe çmimi i kartonit nuk duket i papërballueshëm: ndërmjet 15 dhe 20 milionë euro. Më parë, sidoqoftë, Milani do të duhet të kuptojë se çfarë hapësirash ka edhe për emrat e tjerë në listë, duke filluar nga Rabiot. Edhe Ricci dhe Rovella mbeten në shënjestrën e kuqezinjve.