Disa shoferë taksish kanë protestuar këtë të martë para Bashkisë së Sarandës, ku kanë kërkuar masa ndaj mjeteve që, sipas tyre, ushtrojnë aktivitet pa licencë. Gjatë protestës, një grup tentoi të hynte në ambientet e bashkisë për të zhvilluar një takim me përfaqësuesit vendorë, por u pengua nga forcat e policisë që ndodheshin në hyrje të institucionit.
Në ambientet përreth Bashkisë së Sarandës kishte edhe një prezencë të shtuar e policisë, ndërsa protestuesit kërkuan dialog me autoritetet dhe zgjidhje për problematikat. Po ashtu, protestuesit dorëzuan një kërkesë zyrtare në bashki, duke ngritur shqetësime për taksi nga qytete të tjera, automjete të agjencive turistike dhe mjete të tjera që kryejnë transport pasagjerësh në mënyrë të paligjshme.
ANKESA E DORËZUAR NË BASHKI
Unë, Altin Cumani, përfaqësues i taksive Sarandë, parashtrojmë kërkesën/ankesën si më poshtë:
Kërkesat tona janë si më poshtë të shënuara:
Taksitë e rretheve nga Tirana, Konispoli, Delvina dhe Finiqi vijnë dhe punojnë si taksi në qytetin tonë, ndërsa nga ana e Bashkisë Sarandë nuk është marrë asnjë masë.
Furgonat e agjencive janë duke punuar në mënyrë të jashtëligjshme si taksi, me në krye Magllarën, e cila zotëron 4 taksi.
Njëkohësisht, nga ana e Finiqit, 4 taksi të tipit furgon janë të parkuara në Sarandë.
Kërkojmë një arsye në lidhje me moshapjen e terminalit nga ana e institucionit tuaj.
Taksitë pirate, të cilat janë të papajisura me licencën përkatëse dhe punojnë në të zezë (me targa të bardha), janë në numër të shumtë.
Kërkojmë nga ana e institucionit të Bashkisë Sarandë të merren disa masa:
* Vendosja e parkimeve të sakta në lidhje me taksitë.
* Ruajtja e vendparkimeve aktuale nga ana e Policisë Bashkiake.
* Katër taksi të qytetit të Sarandës punojnë me logo taksie, kanë një periudhë 2-vjeçare dhe nuk janë të pajisura me dokumentacionin e duhur tekniko-ligjor.