Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, por ka theksuar se sfida nuk qëndron vetëm te miratimi i reformave, por edhe te zbatimi i tyre.
Pas takimit me kryeministrin Edi Rama në Kryeministri, von der Leyen deklaroi se Shqipëria ka bërë përparim të rëndësishëm në procesin e integrimit, duke përmendur hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave.
“Keni punuar fort për ta kthyer ëndrrën europiane në realitet. Shqipëria është ndër vendet kryesore në proces. Vij çdo vit për të matur ecurinë dhe që nga vjet Shqipëria ka bërë ecuri të mrekullueshme”, u shpreh ajo.
Von der Leyen nënvizoi gjithashtu se përafrimi me politikat e Bashkimit Europian është një element i rëndësishëm për procesin e anëtarësimit.
Ajo theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë do të ishte në interes jo vetëm të vendit, por edhe të vetë Bashkimit Europian.
Qytetarët protestojnë për Zvërnecin, Rama paralajmëron publikimin e dokumenteve të projektit
“Dua t’u përçojmë qytetarëve shqiptarë se anëtarësimi i Shqipërisë nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe BE-në më të fortë”, tha Presidentja e Komisionit Europian.
“Nuk mjafton vetëm miratimi i reformave”
Në mesazhin e saj, von der Leyen vuri theksin te zbatimi konkret i reformave dhe përfshirja e shoqërisë në proceset vendimmarrëse.
Sipas saj, Shqipëria duhet të ruajë fokusin te reformat, ndërsa përpara miratimit të ligjeve dhe ndryshimeve të reja duhet të ketë dialog dhe konsultim me grupet e interesit.
“Miratimi i tyre është i rëndësishëm, por e rëndësishme është gjithashtu që të zbatohen. Kjo kërkon dialog të fortë me shoqërinë dhe angazhim të të gjitha palëve”, deklaroi von der Leyen.
Në një postim të mëvonshëm në rrjetin social “X”, ajo theksoi se fokusi te reformat, nga drejtësia te mjedisi, mbetet thelbësor për Shqipërinë.
“Fokusi në reforma, nga drejtësia te mjedisi, është thelbësor. Ndërkohë që mbahet një dialog i fortë me shoqërinë. Qëllimi është i dukshëm. Kështu do ta arrijmë”, shkroi von der Leyen.
Vizita e Presidentes së Komisionit Europian në Tiranë është pjesë e turit të saj në Ballkanin Perëndimor, ndërsa Shqipëria vijon procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.