Kur presidenti Biden dhe lideri i Kinës, Xi Jinping, u takuan të shtunën në Peru, ata folën drejtpërdrejt me njëri-tjetrin ndoshta për herë të fundit për një rivalitet të ashpër të superfuqive që Biden ka kërkuar ta pengojë të kalojë në një konflikt të hapur.
Por të dy burrat dukej gjithashtu se po i drejtoheshin dikujt që nuk ishte në dhomë: Donald J. Trump, i cili ka premtuar të marrë një qasje më agresive ndaj Pekinit kur të bëhet sërish president në janar.
Z. Xi, në fjalën e tij hyrëse, ofroi atë që dukej të ishte një paralajmërim i ashpër, ndërsa marrëdhëniet SHBA-Kinë hyjnë në një periudhë të re pasigurie pas zgjedhjeve amerikane.
“Bëni zgjedhjen e mençur,” tha ai në një sallë konferencash në një hotel në Lima ku po qëndronte delegacioni kinez. “Vazhdoni të eksploroni mënyrën e duhur që dy vendet kryesore të shkojnë mirë me njëri-tjetrin.”
Në komentet e tij hapëse, Biden dukej se u përpoq të mbështeste mbajtjen e një marrëdhënieje me Pekinin, ndërsa Trump flet për vendosjen e tarifave më ndëshkuese ndaj Kinës dhe zgjedh radikalët ndaj Kinës për postet e larta të administratës.
“Këto biseda parandalojnë llogaritjet e gabuara dhe ato sigurojnë që konkurrenca midis dy vendeve tona nuk do të kalojë në konflikt. Të jetë konkurrencë, jo konflikt,” tha Biden.
“Kjo është përgjegjësia jonë dhe gjatë katër viteve të fundit mendoj se kemi dëshmuar se është e mundur të kemi këtë marrëdhënie”, shtoi Biden përpara takimit, i cili zgjati një orë e 40 minuta.
Por edhe pse takimi i Biden me Xi, gjatë një mbledhjeje të forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor, filloi me fjalë pajtuese, ai gjithashtu i dha presidentit një shans përfundimtar për të sfiduar liderin kinez drejtpërdrejt për disa nga çështjet e shumta që ndajnë dy vendet.
Ndërsa Biden, dhe vizioni i tij për botën, shkon drejt qetësimit, veprimet e fundit të Kinës sugjerojnë se ajo ka pak interes për të qetësuar Uashingtonin.
(Xi dhe Presidenti Vladimir Putin i Rusisë u takuan në një samit muajin e kaluar në Kazan, Rusi. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur alarmin për marrëdhëniet gjithnjë e më të ngushta të Kinës me Rusinë)
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur alarmin për marrëdhëniet gjithnjë e më të ngushta të Kinës me presidentin rus, Vladimir Putin. Dhe hakerët kinezë u akuzuan kohët e fundit për depërtimin e sistemit amerikan të telekomunikacionit dhe marrjen e informacionit nga telefonat e zyrtarëve amerikanë.
Pekini gjithashtu ka vazhduar të tregojë muskujt e tij në Azi, me zyrtarët amerikanë që shprehin shqetësim në rritje për stërvitjet ushtarake të Kinës rreth Tajvanit dhe agresionin e saj më të gjerë në Detin e kontestuar të Kinës Jugore.
Sipas këshilltarit të tij për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan, Biden e shtyu Xi Jinping të ruante paqen në Tajvan dhe i bëri presion udhëheqësit kinez për mbështetjen e Pekinit për Rusinë. Biden i kërkoi gjithashtu Xi-së të dekurajojë Korenë e Veriut që të vazhdojë të mbështesë Rusinë në luftën e saj në Ukrainë, tha Sullivan.
Ishte e paqartë se sa i hapur do të ishte Xi ndaj kërkesave të Biden, duke marrë parasysh se atij po i mbaron koha në presidencë. Tani Kina është fokusuar në përgatitjen për kthimin e Trump, i cili ka kërcënuar të vendosë tarifa prej 60 për qind për mallrat e eksportuara të saj. Trump gjithashtu ka zgjedhur senatorin Marco Rubio, republikan nga Florida, i cili ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Kinës, si kandidatin e tij për Sekretar Shteti.
Në fjalën e tij, Xi sinjalizoi një gatishmëri për bashkëpunim me Shtëpinë e Bardhë të Trumpit. Por ai mbajti një ton të ashpër dhe të drejtpërdrejtë për rivalitetin mes dy superfuqive.
“‘Lufta e re e Ftohtë’ nuk mund të luftohet dhe nuk mund të fitohet, dhe frenimi i Kinës është i pamatur, i padëshirueshëm dhe nuk do të ketë sukses,” tha ai, sipas një përmbledhjeje të takimit nga qeveria kineze.
(Kontenierët në Portin e Los Anxhelosit. Donald Trump ka folur për vendosjen e më shumë tarifave ndëshkuese ndaj Kinës)
Xi foli edhe për shqetësimin e tij kryesor. Presidenti kinez tha se nëse Shtetet e Bashkuara duan të ruajnë paqen në rajon, duhet të kundërshtojnë “pavarësinë e Tajvanit në mënyrë të qartë”. Ai i bëri një referencë jashtëzakonisht specifike presidentit të Tajvanit, Lai Ching-te, që mund të shihet si një paralajmërim për administratën e ardhshme Trump për kontakte të mundshme midis liderëve.
Xi mbrojti pozicionin e Kinës për luftën në Ukrainë si të shkëputur dhe neutrale. Në një paralajmërim për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në rajon, ai tha se nuk do të lejonte “luftë dhe kaos” në Gadishullin Korean dhe nuk do të “ulej duarkryq dhe të shikonte” ndërsa siguria e Kinës dhe interesat thelbësore atje kërcënoheshin. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze ishte më i drejtpërdrejtë, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara për “përlyerje dhe përdhosje të Kinës” për këto çështje.
Xi i kërkoi Shteteve të Bashkuara të mos ndërhyjnë në Detin e Kinës Jugore, ku Roja Bregdetare e Kinës është bërë më e gatshme për të përdorur forcën për të dëbuar Filipinet, një aleat me traktat i Shteteve të Bashkuara. Dhe ai hodhi poshtë akuzat për hakerim si të pabaza.
Megjithatë, të dy kombet u përpoqën të tregonin se mund të punonin për çështje kyçe. Ata ranë dakord të shtunën që kontrollin e armëve bërthamore ta kanë njerëzit, jo inteligjenca artificiale. Sullivan pranoi vështirësinë për të siguruar që administrata e re do të respektonte çdo angazhim të rënë dakord të shtunën.
“Administrata e ardhshme s’ka pse të na japë garanci për ndonjë gjë,” tha zoti Sullivan. “Ata do të marrin vendimet e tyre në vazhdim.”
Biden solli në diskutim qëllimin e SHBA-së për të transformuar një mision sigurie të udhëhequr nga Kenia dhe kryesisht të financuar nga SHBA në Haiti për të luftuar bandat, nga mision sigurie në një mision zyrtar paqeruajtës të OKB-së. Kina ka shprehur kundërshtimin ndaj një ndryshimi të tillë. Sullivan tha se zoti Xi nuk tregoi ndonjë ndryshim në pozicionin e tij.
(Administrata Biden dëshiron të transformojë një mision sigurie të udhëhequr nga Kenia në Haiti në një mision formal paqeruajtës të OKB-së)
Administrata Biden në shumë mënyra vazhdoi qasjen e ashpër ndaj Pekinit të iniciuar nga administrata e parë e Trump, duke përfshirë tarifat, ndërsa shtoi kufizime që synonin të ngadalësonin përparimet teknologjike të ushtrisë kineze.
Ndihmësit kryesorë të Biden thanë se kundërshtimi i Pekinit, veçanërisht rreth ngushticës së Tajvanit, duhet të jetë një prioritet i vazhdueshëm për administratën e ardhshme.
Gjatë vitit të kaluar, administrata Biden është përpjekur të zbusë tensionet me Kinën pasi marrëdhënia ka rënë në pikën më të ulët pasi një tullumbace spiune kineze që lëvizte mbi Shtetet e Bashkuara u urdhërua të rrëzohej nga Biden. Të dy kombet u ngatërruan gjithashtu pasi zoti Biden e quajti dy herë Xi-në “diktator” vitin e kaluar.
Shtëpia e Bardhë ka vënë në dukje diplomacinë e saj të butë dhe përpjekjet për të hapur linjat e komunikimit si hapa të rëndësishëm për të shmangur një spirale në marrëdhënie.
Biden dhe Xi u takuan për herë të fundit ballë për ballë në nëntor 2023 në Kaliforninë Veriore, ku zyrtarë nga të dy vendet sinjalizuan një përmirësim të vogël në marrëdhënie. Që atëherë, ndihmësit e Biden kanë përshkruar përparim të qëndrueshëm në bisedimet me Pekinin dhe vlerësuan përpjekjet e Kinës për të frenuar rrjedhën e materialeve të përdorura për prodhimin e dorës fentanol (një shqetësim i madh për amerikanët, pasi dhjetëra mijëra amerikanë kanë humbur jetën nga kjo drogë vetëm në vitet e fundit – shënim i Lapsi.al).
(Biden dhe Xi në Woodside, Kaliforni, nëntorin e kaluar)
Megjithatë, edhe pse Biden ka kërkuar të stabilizojë marrëdhëniet, konkurrenca e ashpër midis dy vendeve u shfaq për së gjalli gjatë takimit të APEC në Lima.
Kina e ka tërhequr Perunë si pjesë e një strategjie më të gjerë për të investuar në fuqi më të vogla që ndihen të neglizhuara nga Perëndimi. Në fillim të kësaj jave, Xi u bashkua me Presidenten Dina Boluarte të Perusë për të hapur një port të financuar nga Kina në një qytet 40 milje në veri të Limës.
Uashingtoni ka paralajmëruar se projekte të tilla mund të përdoren nga ushtria kineze në të ardhmen dhe mund të sjellin rreziqe të sigurisë kombëtare.
Biden shpesh e ka përmendur marrëdhënien e tij të gjatë dhe të ndërlikuar me zotin Xi si dëshmi të aftësive të tij diplomatike. Ai shpesh flet për njohjen e Xi Jinpingut kur ai ishte zëvendës president në administratën e Presidentit Barak Obama.
Pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë nga Kina në vitin 2011, Biden u tha ndihmësve të tij se “Unë mendoj se ky djalë do të na hapë shumë punë”.
Por së shpejti, marrëdhënia me Xi nuk do të jetë më përgjegjësi e Biden për ta menaxhuar.
The New York Times, përshtati në shqip ©LAPSI.AL