Tajlanda paralajmëron: Po shkojmë drejt luftës me Kamboxhian

Tajlanda parUdhëheqësi i Tajlandës ka paralajmëruar se përplasjet mes Tajlandës dhe Kamboxhias, të cilat kanë vrarë të paktën 16 persona dhe kanë zhvendosur dhjetëra mijëra në të dy vendet, mund të “shkojnë drejt luftës”.

Kryeministri në detyrë Phumtham Wechayachai shtoi se përleshjet tani përfshijnë armë të rënda dhe janë përhapur në 12 zona përgjatë kufirit.

Tajlanda gjithashtu akuzoi Kamboxhian se ka qëlluar në zona civile dhe evakuoi të gjitha fshatrat që konsiderohen brenda rrezes së raketave të saj.

Kamboxhia, nga ana e saj, akuzoi Tajlandën për përdorim të municioneve thërrmuese. Municionet thërrmuese janë të ndaluara në pjesën më të madhe të botës për shkak të ndikimit të tyre pa dallim në popullatat civile. Tajlanda nuk ka reaguar ndaj akuzave.

Ndërkohë, ministri i jashtëm i Tajlandës i tha agjencisë së lajmeve Reuters se nuk ka “nevojë” për ndërmjetësim nga një palë e tretë në konflikt, edhe pse udhëheqësit globalë kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Kryeministri malajzian Anwar Ibrahim, i cili kryeson Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore, ose ASEAN-in, më herët kishte ofruar të lehtësonte bisedimet mes dy vendeve.

“E mirëpres sinjalin pozitiv dhe gatishmërinë e treguar nga Bangkok dhe Phnom Penh për të konsideruar këtë rrugë përpara”, shkroi Anwar në Facebook të enjten vonë.

Por zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Tajlandës, Nikorndej Balankura, i tha agjencisë Reuters se situata duhet të zgjidhet në mënyrë bilaterale, duke shtuar se Phnom Penh duhet të ndalë veprimet e tij ofensive.

“Nuk mendoj se kemi nevojë për ndonjë ndërmjetësim nga ndonjë vend i tretë, të paktën për momentin,” tha Nikorndej.

Këto komente erdhën ndërkohë që të dy vendet përditësuan shifrat e viktimave nga përleshjet.

Tajlanda tha se 14 civilë dhe një ushtar u vranë në përleshje, ndërsa autoritetet provinciale në Kamboxhia thanë se të paktën një civil në Oddar Meanchey u vra.

SHBA gjithashtu bëri thirrje për një “ndërprerje të menjëhershme të armiqësive, mbrojtje të civilëve dhe një zgjidhje paqësore të konfliktit”.

“Jemi… thellësisht të shqetësuar nga përshkallëzimi i dhunës përgjatë kufirit Tajlandë-Kamboxhia dhe thellësisht të tronditur nga raportet për dëme ndaj civilëve”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, në një konferencë të rregullt për shtyp.

Kina, e cila ka lidhje politike dhe strategjike me Kamboxhian dhe Tajlandën, tha se është “thellësisht e shqetësuar” për konfliktin dhe shpreson që të dyja palët të zgjidhin çështjet përmes dialogut dhe konsultimeve.

Australia, Bashkimi Europian dhe Franca gjithashtu kanë bërë thirrje për paqe.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara pritet të mblidhet të premten për konfliktin.

Në një letër drejtuar këshillit të enjten, Kryeministri i Kamboxhias, Hun Manet, i kishte bërë thirrje atij të ndërhynte për të “ndalur agresionin e Tajlandës”.

Tajlanda dhe Kamboxhia kanë akuzuar njëra-tjetrën për hapjen e zjarrit të parë të enjten.

Tajlanda pretendon se përplasja filloi pasi ushtria e Kamboxhias përdori dronë për të survejuar trupat tajlandeze pranë kufirit.

Kamboxhia thotë se ushtarët tajlandezë e nisën konfliktin kur shkelën një marrëveshje të mëparshme duke avancuar drejt një tempulli Khmer-Hindu pranë kufirit.

Mosmarrëveshja mes dy vendeve daton që më shumë se njëqind vjet më parë, kur kufijtë e dy kombeve u vizatuan pas pushtimit francez të Kamboxhias.

Ka pasur përleshje të herëpashershme ndër vite që kanë parë ushtarë dhe civilë të vrarë nga të dyja palët.

Tensionet e fundit u rritën në maj pasi një ushtar kamboxhian u vra në një përplasje. Kjo i çoi marrëdhëniet dypalëshe në pikën më të ulët në më shumë se një dekadë.

Në një kompleks sportiv që ishte shndërruar në qendër evakuimi në provincën Surin të Tajlandës, të evakuuarit, shumë prej tyre fëmijë dhe të moshuar, thanë se ishin ende të tronditur nga sulmet me raketa dhe artileri që panë të enjten.

Të moshuarit që kishin përjetuar bombardimet gjatë Luftës Civile në Kamboxhia në vitet 1980 i thanë BBC-së se përleshjet e fundit ishin më të rëndat që kishin përjetuar ndonjëherë.

Joi Phasuwan, nga rrethi Phanom Dong Rak, tha se ajo dhe dy nipërit e saj “pritën shumë gjatë” para se të zhvendoseshin më në fund në qendrën e evakuimit. Kësaj radhe, shtoi ajo, ishin zhvendosur më larg se në evakuimet e mëparshme.

BBC, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL alajmëron: Po shkojmë drejt luftës me Kamboxhian

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top