Tabaku nga Kuvendi i PD: Duhet të bëhemi shtëpia e çdo shqiptari që kërkon ndryshimin e sistemit

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mbajti një fjalim në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ku theksoi nevojën për zgjerimin e mbështetjes politike përtej kufijve tradicionalë të partisë dhe ndërtimin e një aleance më të gjerë shoqërore për ndryshimin e sistemit aktual.

Në fjalën e saj, Tabaku tha se një nga problemet kryesore me të cilat përballet Shqipëria është humbja e besimit të qytetarëve te shteti, institucionet dhe mundësitë për të ecur përpara përmes meritës.

Sipas saj, shumë shqiptarë nuk besojnë më se puna e ndershme shpërblehet, se mund të përparojnë pa lidhje politike apo se shteti funksionon në interesin e tyre. Ajo argumentoi se kjo situatë ka sjellë largimin e qytetarëve nga vendi ose tërheqjen e tyre nga angazhimi publik.

Tabaku kritikoi modelin aktual të qeverisjes, duke deklaruar se ai ka krijuar privilegje për një pakicë të lidhur me pushtetin, ndërsa familjet, sipërmarrësit dhe të rinjtë përballen me vështirësi ekonomike dhe mungesë perspektive.

Gjatë fjalimit, deputetja demokrate iu drejtua edhe qytetarëve që nuk identifikohen me Partinë Demokratike, përfshirë votues socialistë të zhgënjyer nga qeverisja aktuale.

“Socialistit të trishtuar dhe të dëshpëruar që sheh se si besimi i tij është keqpërdorur, dua t’i them se nuk është kundërshtari ynë. Ai është Shqipëria jonë”, u shpreh Tabaku.

Ajo paraqiti si objektiv krijimin e një Shqipërie ku prona respektohet, biznesi konkurron mbi bazën e meritës, shtresa e mesme nuk mban barrën kryesore të sistemit dhe të rinjtë nuk e shohin emigrimin si të vetmen alternativë. Në përfundim, Tabaku deklaroi se sfida e Partisë Demokratike nuk është vetëm përfaqësimi i elektoratit të saj tradicional, por shndërrimi në një forcë politike që bashkon të gjithë qytetarët që kërkojnë ndryshim.

“Partia Demokratike ka pasur brezin që rrëzoi komunizmin. Ka pasur brezin që ndërtoi pluralizmin. Sot Shqipëria ka nevojë për brezin që rikthen besimin, bashkon njerëzit dhe e bën vendin sërish një vend ku njerëzit duan të jetojnë”, tha ajo.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top