Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një postimi në Facebook në lidhje me dorëheqjet masive të kryetarëve të njësive administrative dhe nënkryetarëve të bashkive, pas ultimatumit të dhënë nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Tabakut, situata përbën një ndërhyrje të paprecedentë në punët e pushtetit vendor dhe shkelje të rëndë të autonomisë vendore.
“Pushteti lokal është një pushtet i pavarur nga ai qendror, i zgjedhur me votë nga qytetarët dhe i mandatuar për të ushtruar funksione në përputhje me ligjin dhe interesin publik,” shkruan ajo.
Tabaku kundërshton ndërhyrjen e ministrave në stafet e bashkive, duke deklaruar se “bashkitë nuk mund të trajtohen si zyra varësie të Partisë Socialiste apo të ndonjë ministrie” dhe se “ministrat nuk mund të vihen në radhë për të marrë në intervistë stafet e bashkive, të cilët janë të zgjedhur me votën e qytetarëve.”
Sipas saj, kjo praktikë cenon parimet e ndarjes së pushteteve dhe përbën një rrezik për funksionimin demokratik të pushtetit vendor.