Në Estadi EnCamp kërkohet një fitore dhe Shqipëria do të zbresë në fushë të enjten në orën 20.45 me këtë alternativë të vetme në mendje. Sylvinho natyrisht kërkon variantin më të mirë taktik, bazuar edhe në përballjen e marsit kur u imponua 3-0. Natyrisht që gjërat ndryshojnë, por objektivi edhe atëherë ishte fitorja, ndonëse tani suksesi lidhet me arritjen e playoff-it për herë të parë në një kupë bote.
Braziliani nuk është pa dilema, pavarësisht se përzgjedhja është pothuaj e njëjtë si një muaj më parë kur triumfoi ndaj Serbisë e Jordanisë. Nuk bëhet fjalë për portën e prapavijën ku Strakosha është pa rivalë, ndërsa e gjithë linja me Mitaj, Hysajn, Gjimshitin e Ajetin ka treguar soliditet me kombëtaren. Ismajli natyrisht që është alternativë e fortë, sidomos pas performancës në derbin me Juventus, por vështirë se Sylvinho ndryshon para kësaj ndeshje vendimtare. Në fakt, ky dyzim lidhet me të gjithë mënyrën e lojës: ndoshta nuk do të ishte e udhës të ndryshohet moduli para një ndeshje vendimtare. Por dy sulmues në zonë e tundojnë brazilianin, që do të donte në fakt më shumë prezencë përpara, për të bërë keq.
Thirrja e Tucit mund të jetë një detaj, që tekniku kërkon një qendërsulmues në pankinë, si alternativë e Manajt e Dakut që mund ta nisin titullarë. Sytë vërtetë janë gjithnjë nga Broja, por asnjë nga prezantimet e fundit me kuqezinjtë apo me Burnley nuk ka qenë bindëse, edhe pse me shpërthimet e tij ndoshta mund të jetë diferencues ndaj Andorras. Sidoqoftë në një 4-4-2 nëse nuk zgjidhet në dyshen e sulmit, në krah vështirë se mund të gjejë vend. Në mesfushë, Medon Berisha mund të ndryshojë hierarkitë, duke u pozicionuar ndaj Laçit, në krah të Shehut e Asllanit. Numri 10 i Lecce ka treguar një kualitet të lartë në javët e fundit dhe vetëm një një mesfushë me 4 do të sakrifikohej, me Asanin e Hoxhën që do të merrnin krahët.
Ndjesia megjithatë është se Sylvinho do të preferojë sërisht Uzunin e Brojën në mbështetje të Manajt, me Berishën që do të bënte fantazistin, për të ndezur aksionet ofensive në ndeshjen që duhet fituar.