Sylvinho i pafat, humbet mesfushorin pa luajtur ende: Klaus Gjasula hiqet nga lista për Moldavinë & Ishujt Faroe

Tekniku i kombëtares, braziliani Sylvinho, nuk arrin t’i gëzohet rikthimit të lojtarëve, se humbet menjëherë të tjerë. Kështu, pas riaftësimit të Ismajlit dhe Gjimshitit e Bares, që munguan kundër Polonisë, tani tekniku duhet të bëjë pa mesfushorin e qendrës. Klaus Gjasula nuk do të jetë i gatshëm për Kombëtaren. “Gladiatori” do të mungojë në dy ndeshjet e radhës ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, të vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se futbollisti ka pësuar një dëmtim fizik. Gjasula i është nënshtruar analizave mjekësore në ditët e fundit në bashkëpunim edhe me stafin mjekësor të Kombëtares. Pas daljes së rezultateve dhe konsultave të bëra, stafi mjekësor ka konkluduar se Gjasula nuk mund të jetë i gatshëm për dy ndeshjet e Shqipërisë. Kështu, është vendosur që lojtari të nisë fazën e rikuperimit pranë klubit të tij në Gjermani, Darmstad.

Klaus Gjasula sapo festoi fundjavën e kaluar ngjitjen në Bundesligë me ekipin e Darmstadt për edicionin e ardhshëm futbollistik 2023-2024. Pavarësisht mungesës disa javore për shkak të problemeve shëndetësore, mesfushori kuqezi ka qenë një nga lojtarët kyç të skuadrës së Darmstadt, duke qenë një titullar i padiskutueshëm në ekipin gjerman. Kjo nuk është hera e parë që Klaus Gjasula bëhet pjesë e Bundesligës gjermane, ndërsa ka qenë edhe më parë me skuadrën e Paderborn.

Stafi teknik i Kombëtares ka komunikuar me mesfushorin dhe i ka uruar atij shërim të shpejtë në mënyrë që ai të rikthehet sa më parë në fushën e lojës. Në këtë pikë, hapet autostradë rruga për Ylber Ramadanin njeriu më taktik në listën e Sylvinho për tu pozicionuar përpara mbrojtjes.

 

 

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top