Pas një edicioni zhgënjyes në Nations League, ku Shqipëria përfundoi në Ligën C, kuotat e trajnerit të kombëtares Sylvinho çuditërisht nuk kanë rënë. E vërtetë, nën drejtimin e tij Kombëtarja shqiptare arriti kualifikimin në finalet e Euro 2024, por 6 ndeshjet e tre muajve të fundit kanë qenë larg të qenit impresive. Sidoqoftë, në bilancin e staturës së teknikut brazilian kjo arritje duket se ka peshuar më shumë, duke qenë se Inter Miami, skuadra ku luan Lionel Messi, është interesuar për teknikun e kuqezinjve, duke e futur në një listë të ngushtë për të zëvendësuar argjentinasin Tata Martino në pankinë.
Interesi nga Inter Miami dhe largimi i mundshëm i Martinos
Tata Martino pritet të njoftojë largimin nga drejtimi i Inter Miami për arsye personale në një konferencë për shtyp të premten, sipas burimeve nga klubi. Pas këtij zhvillimi, kanë filluar të qarkullojnë emrat e kandidatëve për postin e trajnerit të klubit nga Florida. Në bllokun e presidentit të Inter Miami, David Beckham, bashkë me Sylvinho janë edhe Xavi Hernández e Javier Mascherano.
Jo rastësisht të tre kanë një të kaluar me Barcelonën. Favoriti duket Xavi Hernández, i cili aktualisht është i lirë pas largimit nga blaugranat. Lidhja e tij me drejtuesin katalanas të Inter Miami, Xavier Asensi, mund të jetë një faktor vendimtar për këtë zgjedhje. Asensi, i cili ka luajtur një rol kyç në transferimin e Messi, Suarez, Busquets, dhe Alba në klub, mund të kërkojë të krijojë një lidhje të fortë mes ish-lojtarëve të Barcelonës.
Sylvinho, kontratë me Shqipërinë deri në Botëror
Megjithatë, Sylvinho është shfaqur si një alternativë e fortë për pankinën e Inter Miami. Me një kontratë deri në vitin 2026 me FSHF-në, largimi i teknikut Sylvinho do të kërkonte një marrëveshje me mirëkuptim mes tij dhe federatës shqiptare. Momenti, dështimi në Nations League me zbritjen në Ligën C, mund të favorizojë një shkëputje të tij, me destinacion Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sylvinho duket sikur e ka humbur afeksionin e një pjese të tifozerisë kuqezi, i kritikuar për mënyrën si e ka udhëhequr skuadrën taktikisht dhe mbi zgjedhjet e tij të lojtarëve. Kjo mund të lehtësojë disi tratativën, gjithnjë nëse FSHF ka në plan të ndryshojë taktikisht, përpara kualifikueseve të Botërorit. Në një rast të tillë, të dy palët do të kishin komoditetin: Sylvinho të kalonte në një pagë më të lartë dhe Federata të mos paguante një trajner që ka edhe një vit e gjysmë kontratë.
Nëse negociatat me Xavi komplikohen, atëherë Inter Miami mund të përqendrohet te Sylvinho, duke parë suksesin e tij me Shqipërinë si një shembull i qartë i aftësisë për të sjellë rezultate pozitive. Për momentin, spekulimet vazhdojnë, ndërsa Sylvinho mbetet i fokusuar te përgatitjet për aventurën e Shqipërisë në Botërorin 2026.