Sylvinho gjen miqësoren “trampolinë”: me Gjibraltarin do bëhet provat për Letoninë

Një miqësore me Gjibraltarin në shtator, është lajmi që mbërrin nga zyrat e Federatës, në pritje të rikthimit të eliminatoreve të vjeshtës, thelbësore për objektivin vendi i dytë. Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë miqësoren me Gjibraltarin më 4 shtator në transfertë. Dy Federatat kanë rënë dakord për ta zhvilluar ndeshjen në orën 18, ndërsa përballja e parë historike e kuqezinjve me Gjibraltarin do ti japë mundësinë teknikut Sylvinho të shohë gjendjen e lojtarëve para sfidës kualifikuese me Letoninë.

Kush është Gjibraltari?
Përveç faktit interesant se do të jetë një riprogramim i asaj që anuloi Covid në nëntor të vitit 2020, kur dy skuadrat e kishin vendosur një përballje në “Elbasan Arena”, vetëm në këtë herë në transfertë, është ende e paqartë se çfarë ndihmese mund të japë përballja e parë historike me vendin e 196 të renditjes së FIFA-s. E qartë se Gjibraltari nuk është as një emër tërheqës për tifozët dhe as test i vërtetë force për kuqezinjtë, mjafton të përmendim se lojtari më i shtrenjtë i tyre është De Barr që kushton 175 mijë euro dhe së fundmi madje kanë humbur edhe me Ishujt Faroe.

Për çfarë vlen miqësorja me Gjibraltarin?
Ndoshta mund të vlejë për Andorrën, por çështja është se do të luhet më 4 shtator, pikërisht përpara ndeshjes me Letoninë. Diferencat janë vërtetë, por koncepti i kuqezinjve për të dy kundërshtarët është i njëjtë: duhen mundur. Në këtë kontekst rrethimi që do të aplikohet për Gjibraltarin, mënyra e kërkimit të thyerjes së një mbrojtje të ngjeshur, si ajo me të cilën Letonia do të mbërrijë në Arenën Kombëtare, do të vlejë shumë për ndeshjen kualifikuese.

Çfarë kërkon Sylvinho?
Pastaj, me rezultatet e arritura në fillim të qershorit, dy pikë në dy ndeshje, gjërat nuk shkuan si shpresohej, kuqezinjtë nuk performuan si mendohej dhe Sylvinho ka tashmë disa pikëpyetje që duan një përgjigje. Ndoshta në kombëtare duhet limfë e re, Muçi është emri që thërritet më shpesh, Broja mund të kërkojë përdorim tjetër, diçka në mekanizmat taktike, sidomos përsa i përket ofensivës, duhet të ndryshojë dhe tekniku brazilian të gjitha këto do ti testojë në një miqësore jo shumë impenjative, por e rëndësishme për atë që mund ti japë stafit teknik të Kombëtares dhe vetë lojtarëve kuqezinj.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top