Ian Holloway kishte tre vite pa trajnuar, derisa Swindon Town – një klub i League Two, pra kategoria e katërt angleze – mendoi për të si zgjidhje për të ringritur fatet e klubit nga Wiltshire. Më 25 tetor të kaluar, trajneri 61-vjeçar nga Londra u zyrtarizua si trajneri i ri i Swindon, të cilin e mori në një moment kur ndodhej në vendin e 22-të në renditje (nga 24 ekipe). Që atëherë, skuadra ka zhvilluar tre ndeshje kampionati, duke regjistruar dy barazime dhe një humbje: një ecuri që e mban klubin në të njëjtin pozicion, pra në zonën e rënies nga kategoria.
Holloway, i cili nuk është aspak i papërvojë, pasi ka trajnuar edhe në Premier League, ka krijuar një ide të qartë mbi arsyet e vështirësive të Swindon: ai pretendon se klubi i tij i ri është “i pushtuar” dhe ka kërkuar nga bashkëshortja e tij të “pastrojë zonën” përmes një lloj rituali ekzorcizmi me sherebelë.
Ian Holloway: fusha stërvitore e Swindon është e mallkuar
Holloway nuk kërkon përforcime në merkato për të ngritur skuadrën në renditje – siç do të bënte ndonjë trajner tjetër – por më tepër një ritual që të çlirojë fushën stërvitore të Swindon nga ato që ai i konsideron si prani të liga, bazuar në thashethemet se fusha është e mallkuar. Kjo bindje u bë edhe më e fortë për të pas një serie dëmtimesh në skuadrën e parë. Ollie Clarke ishte viktima e fundit: mesfushori do të mungojë për një muaj për shkak të një problemi në kyçin e këmbës.
“Jam absolutisht i shkatërruar nga dëmtimi i Ollie, prandaj do të përpiqem të pastroj zonën e fushës stërvitore, sepse njerëzit më thonë se është e pushtuar – shpjegoi Holloway. – Seriozisht, këtu afër ndodhet një varrezë, nuk po bëj shaka. Gruaja ime ndjek këtë tip në YouTube, Caspersight (një youtuber që prodhon video mbi temat paranormale), dhe ai thotë: ‘Është ndërtuar mbi një varrezë!’. Mendoj se fusha jonë stërvitore është shumë pranë një vendi të lashtë varrimi, prandaj do t’i kërkoj gruas sime të vijë për të kërkuar falje ndaj këtyre njerëzve dhe shpresoj se do të kemi më shumë fat.”
Five promotions as a player and manager
Almost 1,000 professional league games
Premier League experienceWelcome to #STFC, Ian Holloway!
— Swindon Town Football Club (@Official_STFC) October 25, 2024
Trajneri ka kërkuar ndihmën e gruas për një ritual “pastrimi me sherebelë”
Holloway, i cili më parë ka trajnuar Blackpool dhe Crystal Palace në Premier League, shtoi: “Do të telefonoj gruan time me sherebelën e saj. A besoj në këtë gjë? Nuk jam i sigurt. Por do ta bind të provojë, vetëm për të na ndihmuar, sepse po ndodhin gjëra vërtet të çuditshme.” Megjithatë, përveç shpresës për ekzorcizëm, trajneri do të bënte mirë të përgatiste sa më mirë ndeshjen e ardhshme të shtunën: Swindon Town do të presë në shtëpi Morecambe, një rival të drejtpërdrejtë për mbijetesë.