Renditje e ngjeshur e katër skuadra kryesuese nga të cilat vetëm Egnatia luan në shtëpi në javën e 5-të të Superiores. Rrogozhinasit sigurisht shpresojnë të përfitojnë nga kjo gjë, me Elbasanin, Partizanin e Vllazninë të gjithë të impenjuar në transfertë. Java e pestë e kampionatit do të luhet të dielën dhe të hënën dhe Elbasani i vendit të parë ka testin më të vështirë.
Kjo javë do të hapet me takimin Egnatia – Bylis, që do të luhet në stadiumin “Egnatia Arena” në orën 16:00. Skuadra e Tetovës duhet të tregojë se e ka kapërcyer traumën e humbjes së parë. Megjithëse të përballesh me Bylisin e Egbo nuk është një punë e thjeshtë. Të dielën në mbrëmje do të zhvillohet edhe një tjetër takim. Në stadiumin “Niko Dovana” Teuta do të përballet me Vllazninë në orën 19:00. Durrësakët vijnë nga suksesi në Korçë, por shkodranët kanë treguar forcën e tyre, duke mundur kampionët në fuqi bindshëm.
Të hënën do të luhen tre ndeshjet e tjera të javës së pestë. Laçi – Partizani është sfida e parë e ditës, që do të zhvillohet në stadiumin e Laçit në orën 16:00. Pas barazimit në derbi, Veselinovic do të kërkojë fitoren në një fushë që nuk është se i sjell shumë kujtime të mira. Kurbinasit janë ende pa fitore dhe Cungu do të mundohet të marrë suksesin e parë në javën e pestë.
Dy takimet e fundit të javës së pestë do të luhen në orën 19:00. Tirana do të luajë në stadiumin “Air Albania” ndaj surprizës së Bordin, Elbasani. Kryesuesit e kampionatit kanë një detyrë të vështirë përballë skuadrës së Shkëmbit. Bardheblutë janë të vetmit që nuk kanë pësuar humbje deri tani, por gjithashtu edhe nuk kanë fituar asnjë takim. Në “Elbasan Arena” pastaj do të luhet ndeshja Dinamo City – Skënderbeu. Ilir Daja, pasi debutoi kundër ish-skuadrës së tij Partizanit në derbi, gjen përballë një tjetër ish-skuadër, me të cilën ka bërë edhe histori.