Sulmi në Banjskë dhe νrasja e policit Afrim Bunjaku, të arrestuarit pritet të japin deklaratat

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën, të akuzuarit që ndodhen në paraburgim në Kosovë, duhet të deklarohen lidhur me fajësinë. Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur më 11 shtator një aktakuzë ndaj 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, por vetëm tre prej tyre janë në dispozicion të organeve të drejtësisë: Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq.

Ata janë arrestuar pas sulmit të armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin, Afrim Bunjaku.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, më pas, u vranë tre sulmues. Përgjegjësinë për sulmin e shtatorit të vitit të kaluar e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Besohet se ai, dhe shumica e pjesëtarëve të këtij grupi të armatosur, ndodhen në Serbi.

Seanca përgatitore ishte paraparë të mbahej më 25 shtator, por avokatët e të arrestuarve kërkuan shtyrje me arsyetimin se kishin marrë aktakuzën me vonesë dhe se u nevojitej kohë për t’u përgatitur. Prokuroria, në anën tjetër, kërkoi që gjykimi të fillojë edhe për të akuzuarit që janë në arrati, gjë që u kundërshtua nga avokatët, duke theksuar se një gjë e tillë nuk e parashihet me ligjet e Kosovës.

Në fund, gjyqtari i rastit, Arben Hoti tha se do të kërkojë një opinion juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e Ligjit kur bëhet fjalë për gjykim në mungesë, dhe konstatoi se ka kushte për të gjykuar ata që ndodhen në paraburgim në Kosovë.

Gjykata Supreme ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar kërkesën për këtë çështje, më 30 shtator, dhe se lënda po shqyrtohet.

Zyrtarë të saj theksuan se nuk ka një afat brenda të cilit Gjykata Supreme e Kosovës duhet të japë mendimin e saj juridik.

Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska, ndër të tjera, për vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Më herët, prokurori i rastit Naim Abazi ka thënë se të akuzuarit kishin role të ndryshme brenda grupit kriminal – nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin. Në Kosovë, Radoiçiq gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb dhe frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor që lidhet me ndërtimet ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Hetimin e sulmit në Banjskë po e udhëheq edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, e cila ngarkon Radoiçiqin me tre vepra penale – ndër të cilat janë prodhimi i paautorizuar, posedimi, mbajtja dhe trafikimi i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike. Të dyshuarit e tjerë janë persona të panjohur (NN).

Autoritetet e Kosovës e konsiderojnë sulmin në Banjskë një akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij. Ministri Sveçla tha se ekzistojnë informacione të inteligjencës se të njëjtat grupe vazhdojnë të stërviten në territorin e Serbisë dhe rreth kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga ana tjetër, Serbia në disa raste ka mohuar çdo përfshirje, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar hetim dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë./ REL

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top