Konsumimi i rregullt i vezëve mund të ndikojë në ulen e vdekjeve për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare tek të moshuarit. Ky është përfundimi i një studimi të ri të publikuar në revistën “Nutrients”. Studiuesit në Universitetin Monash në Australi analizuan mbi 8700 persona të rritur të moshës 70 vjeç e lart.
Ata që raportuan se konsumonin nga 1 deri në 6 vezë në javë treguan një rrezik 15% më të ulët të vdekjes nga shkaqe në ndryshme krahasuar me ata që hanin vezë 2 herë në muaj ose më pak. Ata treguan gjithashtu një rrezik 29% më të ulët të vdekjes për shkak të sëmundjeve kardiovaskulare.
“Rezultatet tona sugjerojnë se ngrënia e deri në 6 vezëve në javë mund të zvogëlojë rrezikun e vdekjes nga të gjitha shkaqet dhe sëmundjet kardiovaskulare tek të rriturit e moshuar” – tha në një deklaratë Holly Wild, një pedagoge e epidemiologjisë dhe mjekësisë parandaluese në Universitetin Monash. “Këto gjetje mund të jenë të dobishme në zhvillimin e udhëzimeve dietike të bazuara në prova për të rriturit e moshuar” – shtoi ajo.
Vezët janë një burim i proteinave dhe lëndëve ushqyese thelbësore, si vitaminat B, folati, acidet yndyrore të pangopura, vitaminat e tretshme në yndyrë (E, D, A dhe K), kolina dhe minerale të shumta, shtoi ajo. Konsumimi i vezëve është konsideruar prej kohësh një shqetësim për njerëzit me kolesterol të lartë, një gjendje që mund të çojë në bllokimin e enëve të gjakut duke i bërë njerëzit më të prirur të kenë probleme me zemrën ose goditje në tru.
Prandaj, ekipi kreu kërkime të mëtejshme tek njerëzit me kolesterol të lartë të diagnostikuar klinikisht. “Ne gjetëm një rrezik 27% më të ulët të vdekjes tek njerëzit me kolesterol të lartë dhe që konsumonin vezë çdo javë, krahasuar me njerëzit që konsumonin vezë rrallë ose kurrë. Në këtë mënyrë studimi sugjeron se kolesteroli nuk ndikon në rrezikun e lidhur me konsumin e vezëve” – tha Wild.
Udhëzimet evropiane ndryshojnë nga vendi në vend, por një rishikim nga Shoqata Amerikane e Zemrës i publikuar në vitin 2020 arriti në përfundimin se individët e shëndetshëm mund të hanë 7 vezë në javë pa pasur asnjë rrezik.