Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së Donald Trump i ka bërë thirrje homologut rus Vladimir Putinit që të arrijë të gjejë një zgjidhje të menjëhershme për t’i dhënë fund luftës me Ukrainën.
Ende pa marrë zyrtarisht detyrën Trump ka filluar të angazhohet në çështjet e politikës së jashtme.
“Është koha për të vepruar. Zelenskyy dhe Ukraina do të donin të bënin një marrëveshje dhe të ndalonin çmendurinë. Unë e njoh mirë Vladimirin. Është koha e tij për të vepruar. Kina mund të ndihmojë. Bota është duke pritur”, ka deklaruar Trump.
Ai bëri thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm”, teksa shtoi se “negociatat duhet të fillojnë”.
Trump ritheksoi se ishte i hapur për reduktimin e ndihmës ushtarake të SHBA për Ukrainën. Por, ai përsëri paralajmëroi se SHBA mund të largohet nga NATO nëse vendet e tjera anëtare nuk arrijnë të rrisin kontributet e tyre.