Stërvitjet serbe pranë Kosovës/ Kurti: Përbën agresion; KFOR: Rrezik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Beogradin për shfaqje të “agresionit” pasi ushtria serbe kreu stërvitje të mërkurën në një fshat të banuar me shqiptarë etnikë në jug të Serbisë, ndërsa misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë tha për Radion Evropa e Lirë se stërvitjet nuk përbënin rrezik për sigurinë në rajon. Duke folur në një mbledhje të kabinetit të tij të enjten në Prishtinë, Kurti tha se “jemi thellësisht të shqetësuar me demonstrimin e pajustifikueshëm ushtarak të Serbisë, me helikopterë e parashutistë, në zonat e banuara me shqiptarë në Bujanoc, fare pranë kufirit me Kosovën”.

Kurti tha se stërvitjet – të cilat vijnë në një kohë kur Serbia bleu raketa shkatërruese kineze – u zhvilluan pranë shtëpive, shkollave dhe qendrave të mjekësisë, pa dhënë më shumë hollësi.

“Këto provokime në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë nga njësia e brigadës 63 të parashutistëve të Serbisë, përmes stërvitjeve me helikopterë H145M dhe kërcënimeve me parashutë disa metra larg kufirit me Kosovën, përbëjnë shfaqje të rrezikshme të agresionit”, tha Kurti.
Por misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i tha Radios Evropa e Lirë se ishte njoftuar paraprakisht nga Beogradi për stërvitjet e planifikuara në fshatin Muhovc, pranë kufirit jugor të Kosovës, duke theksuar se bëhej fjalë për një aktivitet rutinë brenda territorit serb, që nuk përbën kërcënim për sigurinë apo stabilitetin në rajon.

KFOR njoftoi se po monitoron nga afër situatën përgjatë vijës kufitare dhe mban komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e sigurisë.

Kurti i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndëshkojë Serbinë për “qasje destabilizuese”, duke theksuar se stërvitjet, së bashku me retorikën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe blerjet e armatimeve nga Kina e Rusia, rrisin tensionet në rajon.

Në fillim të muajit, Vuçiç deklaroi se Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleancë mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, pretendim që është hedhur poshtë nga këto vende.
Që të trija vendet fqinje e kanë mohuar pretendimin e Serbisë, duke thënë se bashkëpunimi i tyre ushtarak nuk është i drejtuar kundër Beogradit. Serbia është vendi që shpenzon më së shumti në rajon për ushtrinë.

Ajo bashkëpunon gjerësisht me Kinën në sektorin e mbrojtjes, dhe blerjet e saj të armëve nga ky vend kanë shkaktuar kritika nga Bashkimi Evropian – ku Serbia mëton të anëtarësohet – si dhe Shtetet e Bashkuara.

Kjo nuk është hera e parë që Serbia kryen stërvitje pranë kufirit me Kosovën. Në të kaluarën është akuzuar nga autoritetet kosovare se e ka dërguar ushtrinë shumë pranë kufirit me të, gjë që është mohuar nga Beogradi.
Kurti theksoi në mbledhjen e kabinetit të tij të enjten se “agresioni i së mërkurës bëhet edhe më alarmues kur kujtojmë që kjo njësi e ka trajnuar dhe mbështetur grupin e kriminelit Millan Radoiçiq, të cilët realizuan sulmin agresor e terrorist në Zveçan kur vranë rreshterin Afrim Bunjaku”.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë edhe më të rritura prej vitit 2023, kur autoritetet kosovare e akuzuan Beogradin për një sulm të një grupi serbësh kundër Policisë së Kosovës që la të vrarë rreshterin Bunjaku, si dhe për një shpërthim në një kanal jetik të ujit.

Serbia e ka mohuar përfshirjen në këto dy sulme që ndodhën në veriun e banuar me shumicë serbe në Kosovë. Prej atëherë, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes dy vendeve fqinje ka ngecur dhe nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë, pavarësisht se palët u pajtuan për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të 2023-ës.
Serbia, me Kushtetutën e saj, vazhdon ta konsiderojë Kosovën si pjesë të veten, edhe pse Kosova e shpalli pavarësinë qysh në vitin 2008. Dy vendet fqinje janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.

Por, Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve, të cilën dy vendet e arritën më 2023 dhe parasheh respektim të ndërsjellë të sovranitetit dhe tërësisë territoriale nuk është zbatuar kurrë./REL

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top