Stefano Sorrentino ka luajtur jashtë Italisë për katër vite: tre të parat në Greqi me AEK Athinën, me kujtime të lidhura me një tifozëri shumë të zjarrtë (madje, ndoshta edhe tepër…), pastaj në sezonin 2007/2008 në Spanjë me fanellën e Recreativo Huelva. I aktivizuar si titullar nga skuadra andaluziane, portieri nga Cava de’ Tirreni siguroi mbijetesën në La Liga, për t’u kthyer më pas në Itali, te Chievo, në verën pasuese. Episodi spanjoll i dha atij, disa vite më vonë, një surprizë nga Lionel Messi: një pako misterioze dhe e papritur.
Postieri trokiti në derë: ka ardhur një pako nga Lionel Messi
Gjithçka nisi më 24 nëntor 2007, kur Barcelona e Lionel Messi priti në “Camp Nou” Recreativo Huelva: një 3-0 i pastër për blaugranat, me gola nga Gabriel Milito, Bojan Krkic dhe vetë Messi, në minutën e 81′ me penallti. “Kisha parë që së fundmi i godiste penalltitë në qendër, ndaj bëra një finte dhe mbeta në vend. Por ai e goditi në cep dhe më shënoi”, rrëfen Sorrentino, sot 46 vjeç, në podcastin ‘DoppioPasso’.
Që prej atij momenti kalojnë 13 vjet dhe ndodh diçka në shtëpinë e Sorrentinos, i cili sapo ishte tërhequr nga futbolli: “Troket postieri dhe më thotë: ‘Ka një pako për ju’. Por unë nuk kisha porositur asgjë. Një pako. E hapa dhe ishte birra e Messit. Sepse Messi, kur theu rekordin e golave në La Liga, i dërgoi birra çdo portieri që i kishte shënuar, me numrin e golit, datën dhe gjithçka, bashkë me një letër përshëndetëse dhe falënderimi. Është një trofe i vogël që e ruaj atje – kujdes mos guxoni ta hapni…”.
Ngjarja ndodhi në dhjetor të vitit 2020, kur Messi theu rekordin për numrin e golave të shënuar me një skuadër të vetme, duke arritur në kuotën 644 me Barcelonën dhe duke kaluar rekordin e 643 golave të Pelé me Santosin. Për të festuar këtë arritje, kompania Budweiser, sponsore e Messit dhe e La Ligës, krijoi një fushatë origjinale: dërgoi 644 shishe birre të personalizuara për 160 portierët që kishin pësuar të paktën një gol nga Messi gjatë karrierës së tij te Barcelona. Çdo shishe mbante numrin e golit, datën dhe detaje të tjera përkatëse. Sigurisht, në rast se një portier kishte pësuar më shumë se një gol, ai merrte në pako numrin përkatës të birrave.
Nëse Sorrentino është dashur të ‘kënaqet’ me një birrë të vetme nga Messi, ka portierë që mund të kishin hapur një lokal… Diego Alves kryeson listën me 21 gola të pësuar nga Leo (dhe po aq birra), pas tij vijnë Iker Casillas dhe Gorka Iraizoz me nga 17. Gigi Buffon mori dy shishe të numëruara: nr. 514 dhe 515, për golat e shënuar nga Messi në dy ndeshje ndaj Juventusit. Toskanasi shprehu vlerësimin e tij për këtë gjest: “Faleminderit për birrat. E marr si një kompliment. Kemi zhvilluar beteja të mëdha ndër vite!”. Dy birra, për më tepër, janë ende të pranueshme…