Kryeministri britanik Keir Starmer ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj presidentit amerikan Donald Trump. Ai e ka akuzuar se po ushtron presion politik mbi Mbretërinë e Bashkuar për çështjen e Groenlandës. Gjatë një debati të tensionuar në Parlament, Starmer tha se kritikat e Trump ndaj marrëveshjes për Ishujt Chagos me Mauritiusin kishin si qëllim dobësimin e qëndrimit britanik ndaj Grenlandës.
“Presidenti Trump i përdori këto fjalë për të ushtruar presion mbi mua dhe mbi Britaninë që të tërhiqemi nga parimet tona për të ardhmen e Grenlandës. Këtë nuk do ta bëj,” deklaroi Starmer.
Tension me SHBA për Grenlandën
Starmer ka kundërshtuar më herët kërcënimin e Trump për vendosjen e tarifave tregtare ndaj vendeve evropiane, përfshirë Britaninë, që kanë dërguar trupa në Grenlandë dhe refuzojnë kërkesën e SHBA-së për kontroll mbi ishullin. Ai theksoi se hakmarrja tregtare ndaj SHBA-së do të ishte gabim, por pranoi se qëndrimi i Trump po krijon përçarje serioze mes aleatëve.
Grenlanda, në qendër të përplasjes globale
Starmer paralajmëroi se çështja e Grenlandës është kthyer në një ndarje të fortë globale, me pasoja reale politike dhe të sigurisë.
“E ardhmja e Grenlandës është një çështje binare që po ndan botën,” tha ai, duke e bërë të qartë se Britania nuk do të tërhiqet nga pozicioni i saj.