Sqarimi i gjykatës se përse nuk u arrestua Ilir Beqaj për “shpërdorim detyre”

Pas daljes së Ilir Beqajt nga SPAK, Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit shpërndau për mediat një njoftim ku ranë në sy dy mesazhe për hetimin e Ilir Beqajt. Së pari është një sqarim për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, dhe jo masë sigurie “arrest me burg”, siç ka ndodhur për të gjithë të ish-zyrtarët e lartë që janë akuzuar për “Shpërdorim detyre”, siç është rasti i Lefter Kokës, Vangjush Dakos apo Arben Ahmetajt.

Gjykatësi Erjon Bano sqaron se vendimi u mor “bazuar në nenin 244 pika 3 të K.Pr.Penale, ku thuhet se: “3. Gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori.”

Me pak fjalë, gjykata sqaron se vendimi më i lehtë i Beqajt në krahasim me ish-zyrtarët e tjerë të lartë është një zgjedhje e prokurorëve të çështjes.

Së dyti, gjykata sqaroi se Beqaj, pasi u mor nën hetim ka refuzuar të flasë dhe nuk ka thënë asgjë për pozitën e tij.

“Në seancën gjyqësore të datës 20.11.2023 ora 12:00, personi nën hetim Ilir Beqaj përfitoj nga e drejta për të mos dhënë deklarime në seancën e marrjes në pyetje sipas nenit 248 pika 2 të K.Pr.Penale” thuhet në njoftimin e gjykatës.

 

Beqaj nuk ka folur para prokurorëve, por për gazetarët ai u shpreh se: “Së pari, unë jam në dispozicion të këtij procesi hetimor prandaj kam vendosur përtej rezerva që kam, të mos e kundërshtoj vendimin. Së dyti çfarë kemi bërë në shëndetësi ka qenë një gjë e mirë dhe ka sjellë një ndryshim rrënjësoj. Për çështjen në fjalë bëhen 8 vite që hetohet. Në këto 8 vite çdo ditë në sallat kirurgjikale 400 kirurgët operojnë në kushte bashkëkohore, sterile. Çdo vit, rreth 60 mijë shqiptarë operohen në kushte sterile, dhe në çdo operacion financave të shtetit i kursehen çdo ditë 2.4 ditë qëndrimi në spital.”

Njoftimi i plotë i Gjykatës kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 26.10.2023 i është drejtuar Gjykatës me kërkesën me objekt: Caktimin ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj, të masave të sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për figurën e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

2. Lidhur më shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata vendosi ta shqyrtoi në dhomë këshillimi pa praninë e palëve dhe të sekretares gjyqësore. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenin 244 pika 3 të K.Pr.Penale, ku thuhet se: “3. Gjykata nuk mund të caktojë një masë sigurimi më të rëndë se ajo e kërkuar nga prokurori.”, me vendimin Nr. 119 Akti, datë 16.11.2023 vendosi: […]

1. Caktimin ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj, të masës së sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

2. Urdhërohet personi nën hetim Ilir Beqaj që të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore z. Besnk Mesi pranë Byros Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë e premte, ora 15: 30.

3. Urdhërohet personi nën hetim Ilir Beqaj të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës, në referim të nenit 233 pika1 të K.Pr.Penale “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

4. Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe dokumenteve të tjerë identifikues të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim Ilir Beqaj.

5. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e marrjes dijeni për këtë vendim. […]

3. Ekzekutimit i masës së sigurimit për personin nën hetim Ilir Beqaj është bërë në datë 17.11.2023 ora 21.20. Ndodhur në këto kushte, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bazuar në nenin 248 të K.Pr.Penale më datë 18.11.2023 paraqiti në Gjykatë kërkesën me objekt: Marrjen në pyetje të personit nën hetim Ilir Beqaj. Në seancën gjyqësore të datës 20.11.2023 ora 12:00, personi nën hetim Ilir Beqaj përfitoj nga e drejta për të mos dhënë deklarime në seancën e marrjes në pyetje sipas nenit 248 pika 2 të K.Pr.Penale. Ndodhur në këto kushte, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, me vendimin Nr. 127 Akti, datë 20.11.2023, vendosi:

1. Vazhdimin e masës së sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga nenet 233 dhe 234 të K.Pr.Penale, caktuar ndaj personit nën hetim Ilir Beqaj, me vendimin Nr. 119, datë 16.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.

Tiranë, më datë 20.11.2023

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top