Elisa Spiropali tha se për përjashtimin e saj nga grupi parlamentar socialist nuk pati votim të rregullt dhe se 40 deputetë nuk e ngritën dorën. Në një konferencë me gazetarët në Kryesinë e Kuvendit, ish-ministrja e Jashtme deklaroi se mbledhja nuk e kishte përjashtimin në rendin e ditës dhe se asaj nuk iu dha mundësia të ishte e pranishme për të folur.
“Dje në grupin PS 40 vetë nuk e kanë ngritur dorën fare. Pra nuk kishte votim. Kishte legjitim të një vendimmarrjeje individuale”, tha Spiropali.
Sipas saj, grupi parlamentar i dha fuqi një vendimi që Asambleja Kombëtare e PS-së e kishte marrë gjithashtu pa votim.
“Unë as nuk isha në atë mbledhje grupi. Nuk kishte as rend dite të bëhej ai votim. Aty nuk u bë votim por legjitim i një vendimi jolegjitim i Asamblesë Kombëtare ku nuk pati votim. Kolegë aty kërkuan që unë minimalisht të isha aty e të flisja por nuk u dha as kjo mundësi. Kaq e madhe qenka frika nga fjalët e një gruaje? Le më veprimi. Gratë nuk janë fasadë për ti vendosur aty ku ka fushatë e të duken bukur. Kanë dhe qëndrime e kur nuk përputhen me qëndrimin e udhëheqjes duhen diskutime. Unë diskutimet I bëra aty. As Koçi Xoxe e as Kadri Azbiu nuk i bënin këto nëpër mbledhje. Cfarë ështje kjo partitë duhet të jenë grusht bashkuar për unitetin?”
Spiropali e quajti të pavlefshëm vendimin e Asamblesë dhe tha se mënyra si u mor tregonte se vendimmarrja në PS ishte përqendruar te kryetari i partisë.
“Nuk e pyet kush PS-në, jam unë apo s’jam unë përjashtohem apo nuk përjashtohem. Këto janë vendime që merren në zyra e në salla të mbyllura me propozimin e një njeriu. E nuk ka votim. Në atë Asamble të PS-së nuk pati asnjë votim. Nuk mori përsipër të mbahet procesverbal sepse njerëzit ishin të shokuar. Është nul ai vendim. Sepse Partia nuk është një njeri, sado lider apo i respektuar të jetë. Është shumësia e këtyre njerëzve. Sot karakteri i personalizuar të pushtetit është në themel të problematikës së rëndë që ne po shohim. E nuk dua të bëj parashikuesen por më keq do të shkojë…”, u shpreh ajo.
Nga përjashtimi i saj, Spiropali e zgjeroi kritikën te mënyra si Edi Rama ushtron pushtetin. Ajo e akuzoi kryeministrin se ka kapur të gjitha levat e pushtetit dhe tha se përqendrimi i tyre e ka bërë të vështirë edhe për deputetët socialistë të përballen me qytetarët.
“E ka treguar historia botërore se pushteti nuk mbahet nga muret por besimi, respektimi i dinjitetit njerëzor. Në momentin kur kjo cedon e arrogance e pretendimi e forca I mbivendoset arsyes, dinjtetit njerëzor, lirisë, krenarisë së individëve apo të vendit patjetër që do të kesh lëvizje dhe njerëzit do të dalin në rrugë se nuk janë numra.
Kur zgjedhjet nuk garantojnë më ndryshim të ekuilibrave por vetëm ndryshim të statistikave se sistemi e ka pamundësaur. Konsolidimi i pafundëm i pushtetit deri në kapje në total të të gjitha levave të pushtetit. Kur pastaj pushteti shërben për të krijuar më shumë favore, më shumë lidhje, më shumë klientelizëm, më shumë pushtet kjo cedon. Edhe deputetët e PS-së e kanë të vështirë të përballen me publikun, se nuk u folëm njerëzve”, tha Spiropali.