Spanja, me 26% probabilitet, është favoritja për të fituar Kupën e Botës 2026. Këtë herë nuk e thonë kompanitë e basteve, por modeli më i fundit matematikor i realizuar nga banka e investimeve Goldman Sachs.
Simulimi vlerëson numrin e golave të shënuar nga një skuadër e caktuar (“skuadra i”) kundër një kundërshtari të caktuar (“skuadra j”), duke përdorur të gjithë historikun e ndeshjeve ndërkombëtare jo miqësore që nga viti 1978 (rreth 20 mijë ndeshje në total). Sistemi është i ngjashëm me renditjen Elo, e përdorur për klasifikimin e shahistëve.
Megjithatë, studimi tregon edhe ndikimin e talentit realizues (prania e golashënuesve më të mirë të kampionateve kombëtare dhe jo vetëm), të “momentumit” të skuadrës (golat e shënuar dhe të pësuar në ndeshjet e fundit), si dhe faktorë të tjerë mendorë dhe gjeografikë (“efekti shtëpi”).
Spanja, favoritja e madhe
Sipas modelit, Spanja ka 26% mundësi për të fituar trofeun, e ndjekur nga Franca (19%), Argjentina (14%), Brazili (8%) dhe Anglia (5%). Kombëtarja iberike favorizohet nga renditja më e lartë Elo, një sulm shumë produktiv dhe një moment i mirë forme. Argjentina penalizohet nga “rënia e kampionit”, nënperformanca statistikore tipike e kampionëve në fuqi. Franca paguan rrezikun e përballjes me Spanjën në gjysmëfinale, ndërsa për Anglinë peshojnë zhgënjimet e së kaluarës, sfida e mundshme kundër Meksikës në lartësi të madhe (në Mexico City) dhe një short jo i favorshëm.
Sipas parashikimeve, priten disa përballje interesante
Në raundin e 1/16-ave duhet të përballen SHBA-Iran, ndërsa në çerekfinale do të kishte ndeshjen historike mes Argjentinës dhe Portugalisë, me shumë gjasa përballja e fundit mes Messit dhe Cristiano Ronaldos. Finalja do të vinte përballë Argjentinën dhe Spanjën, me Kupën e Botës që do të rikthehej në Europë pasi ishte fituar nga një skuadër amerikano-jugore. Edhe ky është një model historik: përjashtimi i vetëm është “back to back” i Brazilit në vitet 1958 dhe 1962.
Në fund, janë 13 kombëtare të cilave Goldman Sachs u atribuon 0% mundësi për fitimin e trofeut. Mes tyre është edhe Bosnja-Hercegovina, e cila eliminoi Italinë.