“SPAK si Sigurimi”/ Si shkoi Veliaj tek qëndrimi i Berishës (deklaratat)

Ditën kur prokurorët njoftuan se kanë ngritur 4 akuza kundër tij, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kaloi menjëherë në kundërsulm dhe në një deklaratë të avokatëve, e krahasoi prokurorinë e drejtuar nga Altin Dumani me Sigurimin e Shtetit.

Në përgjigjen me 8 pika, që është një përgjigje për prokurorët e Dumanit, Veliaj tenton të zbërthejë akuzat për korrupsion dhe pastrim parash dhe të kapet pas mënyrës se si e trajtuan në zyrat e SPAK.

Në pikën 4, kryebashkiaku i Tiranës ankohet për “intimidim dhe dhunë agresive” që është shfaqur ndaj atij vetë dhe bashkëshortes, Ajola Xoxa. Thënë këtë, ai ka bërë një krahasim që përdoret rëndom nga opozitarët, sipas të cilit, SPAK punon si Sigurimi i Shtetit.

“Personat e thirrur me cilësimin “persona në dijeni” janë përballur me qasje kërcënuese dhe dhunë të stilit “sigurims”, duke u detyruar përmes presioneve dhe frikësimit të dëshmojnë kundër vetes” thuhet në pikën 4 të deklaratës.

Krahasimi që përdor Veliaj bashkë me një sërë pakënaqësish që ai i vesh SPAK nuk artikulohet për herë të parë. Ky është një refren që gjendet lehtësisht në fjalorin e opozitës.

Kur Sali Berisha përballej me prokurorët e SPAK për akuzat e korrupsionit, rreth një vit më parë, në dhjetor të vitit 2023, ai ankohej se prokurorët po ndiqnin një procedurë që as Sigurimi i Shtetit nuk do të kishte bërë, pasi ishte e paligjshme.

“Jo vetëm që këta nuk tërhiqen,-shprehej Berisha,- por në mënyrë unike në histroinë e njerëzimit i drejtohen kuvendit me kërkesën për të rënduar masën sepse ky nuk ka zbatuar masën. Ua garantoj se shumë institucione nuk do të guxonin deri këtu. As sigurimi i shtetit nuk do të merrte këto masa” shprehej Berisha.

Edhe Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë, që sot gjendet në qelitë e burgut, gjatë kohës që përballej me mazhorancën dhe akuzonte SPAK se përdoret nga Edi Rama, bënte të njëjtin krahasim. Në një intervistë për Euroneës, Meta kundërshtoi akuzat për bashkëpunim me sigurimin që i bëheshin dhe fliste për metoda të sigurimit të shtetit të urdhëruara nga mazhoranca.

“Gjithcka është e qartë. kemi të bëjmë vetëm me një falsifikim skandaloz dhe rikthim të metodave më të ulta të sigurimit të shtetit dhe të Partisë së Punës për të goditur ata që nuk u del dot përballë as me të vërteta dhe as me gjithcka tjetër” shprehej Meta.

Fakti se Veliaj ka shkuar sot tek Berisha dhe Meta, tregon për një ndarje të fortë mes tij dhe Edi Ramës. Kryeministri në fakt, e ka mbështetur me “pikë e me presje” vartësin e tij në Bashkinë e Tiranës, kur ky kishte premtuar se çfarëdo të ndodhë, kurrë nuk do t’i kundërvihet drejtësisë së re dhe prokurorëve të mbështetur nga SHBA.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top