Prokuroria e Posaçme ka vendosur të shtyjë me 3 muaj hetimet për ish-zv.Kryeministrin Arben Ahmetaj. Mësohet se SPAK i komunikoi avokatit të Ahmetajt shtyrjen e hetimeve deri në muajin mars të vitit 2025.
Muaji mars është afati i fundit i SPAK për të kaluar dosjen në GJKKO, ku më pas do jetë gjykata ajo që do vendosë për kalimin ose jo të fashikujve për hetim. I njëjti vendim është marrë edhe për familjarët e tij, bashkëjetuesen dhe ish-bashkëshorten e ish-ministrit të financave.
Ahmetaj ndodhet në arrati që prej muajit korrik të vitit 2023. Ai akuzohet për kryerjen e tre veprave penale: “Pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”. Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, mori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncesionare. Ndaj tij, ka edhe hetim pasuror dhe janë vënë në sekuestro dy vila, disa apartamente dhe llogari bankare.
Në muajin korrik të vitit të kaluar, organi i akuzës lëshoi urdhër arresti ndaj tij dhe e shpalli atë në kërkim ndërkombëtar, ndërsa në mars të 2024-s i komunikoi akuzat përmes avokatit të tij ligjor.