Një ditë pas deklaratës dhe sqarimit publik të bërë nga SPAK në lidhje me pretendimet e Erion Veliajt se nuk është njohur me aktet e procedimit, ka reaguar pala mbrojtëse e kryetarit të bashkisë së Tiranës. Mbrojtja e Veliajt thekson se procesi në GJKKO, ku ende po zhvillohen seancat paraprake, nuk mund të vijojë pa u njohur Veliaj me të gjitha aktet në mënyrë reale dhe jo formalisht.
“Procesi nuk mund të vijojë pa u garantuar më parë që i pandehuri dhe mbrojtja janë njohur në mënyrë reale dhe jo formale, me materialet mbi të cilat do të zhvillohet gjykimi, një standard i pandryshueshëm në çdo sistem të së drejtës dhe pjesë përbërëse e parimit të “due process”, thekson mbrojtja.
SPAK-ut i përgjigjen edhe mbi pretendimin e tyre se seancat paraprake në GJKKO janë shtyrë për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo dhe kërkesave të padrejta të tyre. Ekipi ligjor i kryebashkiakut thotë se kërkesat e tyre për tu njohur me aktet në asnjë rast nuk kanë qëllim që të zvarrisin procesin ligjor, por të garantojnë një proces të drejtë, pasi Veliaj ende nuk ka në dorë asnjë provë.