Sot zgjedhjet parlamentare në Kroaci, cilat janë pritshmëritë nga procesi?

Kroacia zhvillon sot zgjedhjet parlamentare, çka do të vërë përpara prove popullaritetin e kryeministrit Andrej Plenkoviç dhe partisë së tij konservatore në pushtet HDZ, të akuzuar nga kundërshtarët për korrupsion dhe nepotizëm. Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, shpreson ta shfrytëzojë mbështetjen e kahershme që gëzon në vend për pranimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian, përdorimin e euros në vend dhe rritjen e turizmit. Por kroatët janë lodhur nga qeverisja e Bashkimit Demokratik Kroat, e cila ka dominuar politikën e vendit që nga pavarësia e Kroacisë nga Jugosllavia në vitin 1991. Analistët thonë se skandalet e shumta të korrupsionit, përfshirë emërimin nga kryeministri Plenkoviç të një prokurori të njohur për lidhjet me njerëz të përfshirë në marrëveshje korruptive, mund ta dëmtojnë shumicën e saj. Plenkoviç e mohon keqbërjen.

“Unë do të votoj për SDP-në sepse lufton kundër korrupsionit, për ta bërë më të lehtë për ne të rinjtë, për të ndaluar emigrimin nga Kroacia dhe për të moshuarit, për të rritur pensionet dhe pagat”, thotë Sasa Zarkovic.

Rreth 3.7 milionë votues do të zgjedhin mes më shumë se 2,000 kandidatëve. Qendrat e votimit hapen në orën 7 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 19:00. Rezultatet zyrtare priten gjatë ditëve në vijim. Sondazhet më të fundit nga IPSOS tregojnë se partia HDZ pritet të marrë 60 vende në parlamentin me 151 anëtarë, më shumë se çdo parti tjetër, por jo të mjaftueshme për të qeverisur e vetme. Rivali kryesor i zotit Plenkoviç është Presidenti Zoran Milanovic, i cili tha se do të jepte dorëheqjen për t’u bërë kryeministër nëse Partia Social Demokrate (SDP) e merr pushtetin me ndihmën e partive të tjera më të vogla.

Nëse pushtetin e merr një koalicion i udhëhequr nga socialdemokratët, kjo mund të ndryshojë qëndrimin e vendit për çështjet kryesore si mbështetja për Ukrainën në luftën e saj me Rusinë. Presidenti Milanovic e kundërshton ndihmën për Ukrainën. Anketat tregojnë se një koalicion i udhëhequr nga SDP, i quajtur ‘Lumenjtë e Drejtësisë’, parashikohet të renditët në vendin e dytë me 41 vende. Të djathtët pritet të marrin 15 vende ndërsa të gjelbërit pritet fitojnë 11 vende në parlament./ VOA

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top