Beteja e Koshares u zhvillua nga 9 prilli 1999 deri më 10 qershor 1999 në kuadër të Operacionit “Shigjeta” ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Ushtrisë Jugosllave (JNA). Beteja u zhvillua në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës pati mbështetje edhe nga Ushtria e Shqipërisë dhe nga Forcat ajrore të NATO-s. Është njëra ndër betejat më të përgjakshmet dhe më të suksesshmet e Luftës së Kosovës.
Në këtë betejë Ushtria Jugosllave e humbi kontrollin e kufirit Kosovë–Shqipëri, e cila ishte një fitore e madhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke e thyer kufirin dhe duke e mundësuar kalimin e sigurt të armëve dhe vullnetarëve nga Shqipëria për në Kosovë. Beteja e Koshares zgjati 2 muaj derisa u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës e cila i dha fund Luftës së Kosovës.
Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës. Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet shqiptare, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati 100-vjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.
Fillimi i Betejës – 9 – 13 Prill: Ofensiva e UÇK-së
Më 9 Prill të vitit 1999 në orën 05:00 të mëngjesit, 136 luftëtarë të UÇK-së thyen kufirin dhe sulmuan batalionin e 53-të kufitar të Brigadës së Motorizuar Jugosllave 549, e cila përkrahej nga policia serbe, ushtarët serbë dhe mercenarët rusë. Ushtarët e UÇK-së sulmuan në 3 drejtime: Drejtimi i parë ishte drejt Rrasës së Koshares, Drejtimi i dytë ishte drejt Bazës Ushtarake Serbe “Karaulla” dhe Drejtimi i tretë ishte drejt Majës Gllava. Në atë kohë rreth 300 ushtarë serbë ishin vendosur në vijën e frontit.
Luftimet e ashpra zgjatën 6 orë. Nga ana e UÇK-së ranë dëshmorë 4 luftëtarë dhe u plagos 1, kurse nga ana e Ushtrisë Jugosllave u vranë 23 ushtarë serbë. Më vonë UÇK-ja e mori Rrasën e Koshares dhe menjëherë filloi të përforcohet. Të nesërmen më 10 Prill, me mbështetje të artilerisë, UÇK-ja arriti që të marrë edhe Majën Gllava dhe filloi ta bombardojë Bazën ushtarake serbe të Koshares, gjë që i detyroi ushtarët serbë të largohen nga pozicionet e tyre dhe të braktisin bazën. Në orën 19:00 të mbrëmjes, ushtarët e UÇK-së arritën që të hynin në bazën serbe dhe të konfiskonin një sasi madhe armësh dhe uniformash ushtarake serbe, po ashtu dhe rezerva ushqimore që i kishin lënë ushtarët serbë.
Forcat Serbe u tërhoqën më pas drejt vijës së dytë të mbrojtjes mbi Bazë. Ato pozicione ishin shumë më të lehta për t’u mbrojtur. Të nesërmen, ushtarët rezervistë serbë mbërritën për të lehtësuar Ushtrinë e Parë. Një grup i ushtarëve të UÇK-së arritën që t’a ndërpresin vijën e komunikimit jugosllav dhe shkatërruan një automjet ushtarak jugosllav-transportues të blinduar. Gjatë natës, UÇK-ja sulmoi Ushtrinë Jugosllave në Opijaz, duke u përpjekur të shkatërronte rezistencën e ushtarëve serbë, por me pak sukses. Atë natë ranë disa dëshmorë.
Të nesërmen UÇK-ja sulmoi përsëri pozicionet serbe, dhe arriti që të thyejë rezistencën e vijës së dytë mbrojtëse të Ushtrisë Jugosllave, duke i shkaktuar humbje të mëdha në ushtarë. Ndërkohë Ushtria Jugosllave arriti që të sjellë Forcat e saj Speciale dhe gjithashtu disa topa artilerie. Më 13 Prill, pati përleshje mes Ushtrisë Shqiptare dhe Ushtrisë Jugosllave në kufirin pranë Krumës.
14 Prill: Kundër-ofensiva Jugosllave ndaj Majës Gllava
Artileria e Ushtrisë Shqiptare dhe e UÇK-së vazhdoi të granatonte pozicionet e Ushtrisë Jugosllave nga Maja Gllava dhe Rrasa e Koshares. Shtabi i Ushtrisë Jugosllave vendosi të nisë një sulm të papritur ndaj UÇK-së. Më 14 Prill, ushtarët serbë sulmuan Majën Gllava. Distanca midis dy llogoreve të armikut nuk ishte më e gjatë se 50 metra. Ushtria Jugosllave nuk arriti që t’a merrte Majën Gllava, dhe përsëri u detyrua të tërhiqet me humbje të mëdha. Fronti i Majës Gllava u stabilizua deri në fund të luftës, pa ndonjë ndryshim në vija.
Gjatë muajit Prill 1999, nuk kishte ndonjë ndryshim në vijat e frontit në Rrasën e Koshares dhe të dyja palët pësuan humbje të mëdha. Shumë ushtarë serbë u vranë nga bombardimet e pandërprera të artilerisë së UÇK-së, dhe shumë luftëtarë të UÇK-së u vranë në përleshje të shumta me Forcat serbe.
10 – 11 Maj: Ofensiva Jugosllave në Rrasën e Koshares
Muaji maj 1999, filloi me disa sulme të pasuksesshme të Ushtrisë Jugosllave në përpjekje për t’a marrë përsëri Bazën Serbe të Koshares. Sulmet e saj u bënë të pasuksesshme për shkak të zjarrit të vazhdueshëm të artilerisë shqiptare që synonte pozicionet e tyre. Më 6 Maj, Ushtria Jugosllave kundërsulmoi në Rrasën e Koshares, në një përpjekje për të ndaluar bombardimet e artilerisë shqiptare. Pasoi një përleshje e përgjakshme, por Ushtria Jugosllave nuk arriti që ta merrte as Rrasën e Koshares.
Më 10 Maj, Ushtria Jugosllave dërgoi dy tanke të modelit T-55 për të ndihmuar në stabilizimin e ofensivës në Rrasën e Koshares. Kur tanket depërtuan në linjat e UÇK-së, ata përparuan mbi 100 metra në territorin e kontrolluar nga luftëtarët e UÇK-së, por UÇK-ja përsëri arriti që ta mbante kontrollin e Rrasës së Koshares, falë heroizmit dhe trimërisë së luftëtarëve shqiptarë.
Gjatë natës së 10 dhe 11 Majit, avionët e NATO-s hodhën dhjetëra bomba mbi trupat serbe të cilët kishin sulmuar pozicionet e UÇK-së rreth Rrasës së Koshares. Në këto sulme, NATO vrau 16 ushtarë serbë dhe një oficer dhe i plagosi mbi 40 të tjerë. UÇK-ja e shfrytëzoi rastin për të sulmuar ushtarët serbë në pozicionet e tyre dhe i detyroi ata të ktheheshin mbrapa.
Maj: Përleshjet përreth fshatit Mërcaj
Gjatë mesit të muajit Maj, shumë luftime të përgjakshme u zhvilluan në fshatin Mërcaj, të cilat u morën përfundimisht nga Ushtria Jugosllave. Nga ana e UÇK-së pati shumë dëshmorë, por humbjet nga ana e Ushtrisë Jugosllave ishin edhe më të mëdha.
19 Maj: Sulmi i UÇK-së afër Junikut
Më 19 Maj, UÇK-ja e sulmoi pozicionin e Forcave Speciale Serbe afër Junikut. Në këtë sulm UÇK-ja i vrau 14 oficerë serbë pas luftimeve të ashpra, ndërsa ata nuk pësuan asnjë humbje. Një nga të vrarët ishte mercenari rus Vitalih Bulakh Gleboviç. Dokumentet e marra nga trupi i Gleboviçit treguan se ai ishte një oficer i Ushtrisë Ruse, ndërsa Moska konfirmoi se ekzistonte një oficer me të njëjtin emër i cili ishte shkarkuar nga Ushtria Ruse për kushtet mjekësore me emrin që UÇK-ja kishte dhënë. UÇK-ja e paraqiti këtë si provë të përfshirjes së rusëve në Luftën e Kosovës dhe i dërgoi një letër të fortë proteste ambasadës ruse në Tiranë, duke i kërkuar 5 mijë armë zjarri me municion si shpërblim për kthimin e trupit të Gleboviçit.
21 Maj: Zjarri miqësor i NATO-s ndaj Karakollit të Koshares
Më 21 Maj, avionët e NATO-s gabimisht bombarduan pozicionet e UÇK-së, duke vrarë 7 luftëtarë. Kjo ishte tronditja më e madhe për UÇK-në nga gabimi i Aleatit të saj. Gjenerali i NATO-s Wesley Clark kërkoi falje për këtë gabim dhe tha se kishte ndodhur pa dashje. Gjatë muajit Maj, NATO zhvilloi operacione ajrore kundër caqeve serbe në Kosovë dhe Serbi, disa prej të cilave përfshinin dëmtime kolaterale – vdekje të civilëve.
Më 26 Maj 1999, shpërtheu Beteja e Pashtrikut ku edhe aty UÇK-ja ishte e suksesshme në pushtimin e Malit të Pashtrikut dhe fshatrave që gjenden përreth tij. Lufta e Kosovës zgjati deri më 10 Qershor 1999. Marrëveshja e Kumanovës u nënshkrua dhe Ushtria Jugosllave, Paramilitarët serbë dhe Forcat e Policisë u larguan nga Kosova me humbje të mëdha. KFOR-i hyri në Kosovë si forcë paqeruajtëse. UÇK-ja sipas kushteve të Traktatit të Kumanovës, u çarmatos dhe u shpërbë, megjithatë shumë nga luftëtarët e saj u larguan nga Kosova dhe u bashkuan me forcat shqiptare në Luftën e Luginës së Preshevës dhe në Luftën e vitit 2001 në Maqedoni.
Në vitin 2005, Agim Ramadani dhe Sali Çekaj u dekoruan si Heronjtë e Kosovës nga Presidenti Ibrahim Rugova në 6 vjetorin e Betejës së Koshares. Një film artistik serb për Betejën e Koshares është xhiruar në fund të Qershorit të vitit 2020, nga ana e autoriteteve të Serbisë, dhe pritet publikohet gjatë vitit 2023.
Humbjet
Beteja e Koshares zgjati 67 ditë, e cila mori shumë jetë nga të dyja palët, të UÇK-së dhe Ushtrisë Jugosllave. Nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë 114 luftëtarë shqiptarë, ndërsa nga ana e Ushtrisë Jugosllave u vranë 108 ushtarë serbë. Mes tyre ishte edhe mercenari rus Vitalih Bulakh Gleboviç, por përveç këtij besohet se ka edhe më tepër rusë të vrarë. Në mesin e dëshmorëve të UÇK-së në Koshare, u vranë edhe 2 ushtarë të NATO-s, Francezi Arnold Pierre dhe Italiani Françesko Giuzeppe. Po ashtu u vra edhe ushtari nga Algjeria, Muhamed Murad Ali.
Nga humbjet e Ushtrisë Jugosllave në Koshare, u konstatua se 92 ushtarë serbë u vranë nga UÇK-ja dhe 16 të tjerë u vranë nga bombardimet e NATO-s. Ushtrisë Jugosllave iu shkatërruan edhe 3 tanke serbe dhe 1 automjet ushtarak.