Në GJKKO do të zhvillohet sot seanca paraprake për ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të pandehurit e tjerë, të akuzuar për dosjen “Partizani”. Në seancën paraprake do të vendoset nëse çështja do të kalojë ose jo për gjykim. Pas katër vitesh hetime për aferën Partizani, SPAK dërgoi dosjen me 5 të pandehur në GJKKO, ku kërkon nisjen e gjykimit.
Hetimet për dosjen Partizani kanë nisur në vitin 2020, dhe në aktakuzën e SPAK, dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai e akuzojnë ish-kryeministrin Berisha për veprën penale të “korrupsionit pasiv” të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim. Sipas SPAK, Berisha ka ndryshuar ligje, dhe ka ushtruar presion mbi vartësit e tij, në mënyrë që ish-kompleksi Partizani t’iu kthehej pronarëve, në mesin e të cilëve do të përfitonte dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Në dosjen e SPAK thuhej se dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi është bërë përfaqësues i familjeve që rezultonin pronare të tokës ku ndodhej ish-kompleksi Partizani, përmes prokurave, në të cilat premtohej se do të arrinin objektivat nëse vendosnin vendosur në dispozicion 3-5% të pasurisë së tyre. Përveç dyshes Berisha-Malltezi, nën akuzë janë edhe Fatmir Bektashi, Andja Pustina dhe Xhimi Begeja.