Shqiptarët e diasporës pritet të mbërrijnë gjatë kësaj të shtune në Tiranë për t’iu bashkuar protestës së paralajmëruar.
Sipas njërit prej koordinatorëve të organizimit, pjesëmarrësit janë nisur nga disa vende të Europës dhe po hyjnë në Shqipëri përmes pikave kufitare të Igumenicës dhe Muriqanit.
Fluksi i lartë i automjeteve ka shkaktuar radhë të gjata në hyrje të vendit. Në pikën kufitare të Muriqanit, kolona e mjeteve raportohet se shtrihet deri në Urën e Bunës.
Koordinatori bëri me dije se një pjesë e shqiptarëve që jetojnë në Zvicër, Itali dhe Greqi kanë zgjedhur të udhëtojnë përmes Igumenicës, ndërsa qytetarët që vijnë nga Belgjika, Franca, Austria, Britania dhe Gjermania po hyjnë në Shqipëri nga veriu i vendit.
Sipas tij, shumë prej pjesëmarrësve kanë udhëtuar për dy ditë rresht për të qenë pjesë e protestës. Ai u shpreh se mobilizimi i diasporës synon të bashkojë zërin e shqiptarëve, ndërsa theksoi se protesta do të ketë karakter politik.
Në deklaratën e tij, koordinatori i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë krijimit të një qeverie tranzitore apolitike.