Sot opozita hap fushatën në “Air Albania”

Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar “Bashkë Fitojmë” hapin sot fushatën elektorale në orën 12:00 në stadiumin “Air Albania”.

Me sloganin “Ndryshimi në duart e tua” opozita do të nisë zyrtarisht rrugëtimin drejt 14 majit. PD-ja bëri publik edhe spotin e çeljes së fushatës, ku përmes mesazheve ftohen qytetarët të marrin pjesë në mitingun e sotëm. Në videon e spotit bëhet një retrospektivë se si mbërriti PD-ja e rithemeluar deri këtu. Pikënisja e këtij rrugëtimi është 16 shtatori i 2021, kur kryetari i PD-së, Sali Berisha, nisi foltoret me qytetarët.

Momenti i dytë madhor ishte Kuvendi i 11 dhjetorit, ku zbriti në stadium “formacioni i lirisë”, me miratimin e ndryshimeve statutore të PD-së ku u shkarkua Lulzim Basha dhe u bënë pjesë e statutit primaret. Ndërsa në 6 mars 2022, shqiptarët i besuan rithemelimit me votë, në zgjedhjet e pjesshme vendore. Momenti kulminant i rithemelimit të Partisë Demokratike do të ishte 22 maji i vitit të kaluar kur lideri historik, Sali Berisha u zgjodh në krye të PD-së.

Demokratizimi i PD-së, paralelisht me aksionin opozitar si protestat dhe debati në Parlament, vijoi me zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie përmes procesit të primareve në 4 dhjetor 2022. Kandidatë të cilët në 14 maj janë alternativë ndryshe nga Edi Rama dhe përfaqësuesit e tij dhe mbeten garancia për nisjen e një rrugëtimi tjetër, këtë herë për ndryshimin e vendit. Mesazhet e spotit të PD-së janë: “Ejani të shtunën, 15 prill 2023 ora 12:00 në stadium! Rikthehemi në ‘arenë’, aty ku nisi rithemelimi! Më të fortë për mbrojtjen e pluralizmit e demokracisë! Më të hapur me kandidatët e dalë nga vota juaj! Më të bashkuar të gjithë ata që nuk janë marrë peng nga pushteti! Ndryshimi në duart e tua!”.

Sali Berisha akuzoi dje Kryeministrin Edi Rama, se u ka dhënë nga 1 milionë euro secilës kompani të “exit poll”-eve për të manipuluar sondazhet. Në një konferencë të përjavshme për mediat, Berisha deklaroi se Rama për të falsifikuar rezultatet e sondazheve, iu ka dhënë kompanive që merren me këto polle nga 1 milion euro secilit, ndërsa shtoi se kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” janë në ngjitje vertikale. Në një komunikim me gazetarët, Berisha u shpreh se të gjitha sondazhet i nxjerrin kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” fitues të zgjedhjeve të 14 majit.

“Edi Rama u ka dhënë kompanive apo drejtorëve të ‘poll’-eve 1 milion euro secilës për të falsifikuar rezultatet e ‘poll’-eve. Kjo është e vërteta, por sot për fat të mirë. E vërteta është që përsëri në këtë falsifikim, kandidatet tanë janë në ngjitje vertikale. Kur një i sapo futur në garë me një njeri që ka 8 vite që i lakohet emri ka një problem të njohjes, por gjindja e kandidatëve tanë është vertikale kudo. E dyta, përveç poll-eve të cilat imagjinoni, pronarët e mediave i merrni me mend sa të çmendur janë ata. Ka një tjetër poll që askush nuk e manipulon dot. Kjo është analiza që u bëhet rrjeteve sociale. ‘Facebook’, ‘Instagram’-it dhe rrjeteve të tjera.

Ato po gumëzhinë për Belind Këllicin, Bardh Spahinë, Luçiano Boçin, Igli Carën e për të gjithë kandidatët tanë”, tha Sali Berisha. Berisha u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve dhe demokratëve që t’i bashkohen hapjes së fushatës elektorale, ditën e sotme në orën 12:00 në “Air Albania”. “Pra, këtë klimë të paparë ndonjëherë që nga viti 1992 i ftoj shqiptarët ta kurorëzojnë me një manifestim madhështor si prelud i fitores tonë të ardhshme, nesër në orën 12:00 në arenën e Tiranës, “Air Albania”, e cila duhet të ketë vetëm një emër, arena e lirisë.

Aty nisi procesi si rithemelimit, nisi udhëtimi që kurorëzohet nesër me një hapja, manifestim popullor të shkëlqyer”, u shpreh lideri demokrat. Berisha, në komunikimin me mediat, denoncoi se paratë e Iranit po përdoren në Shqipëri në aferën e inceneratorëve. Berisha hodhi akuza ndaj SPAK, pasi sipas tij i ka të gjitha dokumentet për të zbardhur korrupsioni, por është kthyer në shërbim të qeverisë, duke mos lejuar zbardhjen e së vërtetës.

Play Video
Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top