Pothuaj gjysma e europianëve e shohin Donald Trump-in si “armiqësor ndaj Europës”, edhe më shumë e vlerësojnë rrezikun e një lufte me Rusinë si të lartë dhe mbi dy të tretat besojnë se vendi i tyre nuk do të ishte në gjendje të mbrohej në rast të një konflikti të tillë, tregon një sondazh i ri.
Anketa në nëntë vende, e realizuar për platformën franceze të debatit “Le Grand Continent”, zbuloi gjithashtu se gati tre të katërtat e qytetarëve duan që vendi i tyre të mbetet në BE, ndërsa pothuaj po aq mendojnë se largimi i Britanisë së Madhe nga unioni i ka sjellë dëm asaj.
Jean-Yves Dormagen, profesor i shkencave politike dhe themelues i agjencisë së sondazheve Cluster17, tha: “Europa jo vetëm po përballet me rreziqe në rritje, por po përjeton edhe një transformim të thellë historik, gjeopolitik dhe politik. Tablua e përgjithshme tregon një Evropë të shqetësuar, të vetëdijshme për cenueshmëritë e saj dhe që e ka të vështirë të projektojë vetveten në të ardhmen.”
Sipas sondazhit, mesatarisht 48% e europianëve e shohin Trump-in si armik, duke arritur deri në 62% në Belgjikë dhe 57% në Francë, ndërsa nivel më të ulët ka në Kroaci (37%) dhe sidomos në Poloni (19%).
“Në mbarë kontinentin, trumpizmi shihet qartësisht si forcë armiqësore,” tha Dormagen, duke shtuar se ky perceptim po rritet, me më pak njerëz që e shohin Trump-in si neutral dhe më shumë që e konsiderojnë qartësisht si kërcënim.
Megjithatë, europianët vazhdojnë ta shohin marrëdhënien me SHBA-në si strategjikisht të rëndësishme: 48% mendojnë se BE-ja duhet të kërkojë kompromis me Uashingtonin, pavarësisht perceptimit negativ për Trump-in.
Sondazhi në Francë, Itali, Spanjë, Gjermani, Poloni, Portugali, Kroaci, Belgjikë dhe Holandë zbuloi se 51% e qytetarëve e shohin rrezikun e një lufte të hapur me Rusinë si të lartë, dhe 18% si shumë të lartë.
Dormagen tha se një rezultat i tillë “do të ishte i paimagjinueshëm para disa vitesh dhe tregon se opinioni publik europian është zhvendosur drejt një epoke të re gjeopolitike, ku mundësia e një konflikti të drejtpërdrejtë në kontinent konsiderohet reale.”
Perceptimi ndryshon sipas afërsisë me Rusinë:
77% e polakëve e shohin rrezikun si të lartë
54% e francezëve
51% e gjermanëve
39% e portugezëve
34% e italianëve
Besimi në kapacitete mbrojtëse kombëtare është i ulët kudo: 69% e europianëve besojnë se vendi i tyre “nuk është realisht” ose “fare” në gjendje të mbrohet ndaj agresionit rus. Francezët janë më optimistët (44%), ndërsa edhe në Poloni, 58% mendojnë se vendi nuk do të ishte i mbrojtur.
“Po hyjmë në një epokë rreziku ndërsa ndihemi të dobët në nivel kombëtar,” tha Dormagen.
Vetëm 12% e europianëve thonë se nuk ndihen veçanërisht të kërcënuar.
Ndër kërcënimet më të përmendura:
siguria teknologjike dhe dixhitale (28%)
siguria ushtarake (25%)
Ka kërkesë të fortë për mbrojtje të përbashkët europiane: 69% duan që BE-ja të luajë rol më mbrojtës.
Ndërkohë, shumica dërrmuese e qytetarëve të këtyre 9 vendeve mbështesin anëtarësimin në BE: 74% duan të qëndrojnë në union — duke arritur 90% në Portugali, 89% në Spanjë, dhe duke rënë në 68% në Poloni e 61% në Francë.
Pesë vjet pas Brexit, vendimi i Britanisë shihet si dështim:
63% mendojnë se ka pasur efekt negativ
Vetëm 19% e konsiderojnë pozitiv
Vetëm 5% e shohin si “shumë pozitiv”
The Guardian, përgatiti në shqip ©LAPSI.AL