Barometri – Euronews Albania ka zhvilluar matjen e dytë zgjedhore pas matjes së janarit 2025. Sërish metodologjia e përdorur dhe kampioni ka qenë i njëjtë, 1600 qytetarë të pyetur në gjithë territorin e vendit, ballë për ballë. Periudha kohore e mbledhjes së të dhënave për matjen e dytë zgjedhore të Barometrit – Euronews Albania është 15-25 shkurt 2025.
Pjesë e kësaj matjeje të dytë kanë qenë dhe grup pyetjet lidhur me SPAK pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj. Një nga pyetjet e Barometrit ka qenë: “Çfarë ndikimi do të ketë arrestimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës në rezultatin e PS në 11 Maj?” Rezultatet tregojnë se: 10,1% e qytetarëve mendojnë se kjo ngjarje do të sjellë rezultat pozitiv për PS në 11 Maj 2025.
52,5 % e të pyeturve mendojnë se arrestimi i Veliajt do të sjellë ndikim negativ në rezultatin e PS në 11 Maj dhe 29,8 % e të pyeturve mendojnë që do të ketë ndikim neutral as pozitiv as negativ në rezultatin e PS në zgjedhje.

Një tjetër pyetje e këtyre matjeve të Barometrit ka qenë: “A ka ndonjë parti (ose më shumë se një) që do të përfitojë politikisht në zgjedhjet e 11 Majit nga arrestimi i Kryetarit të Bashkisë së Tiranës?”
LEXO EDHE: Del SONDAZHI/ Ç’mendojnë votuesit e PS dhe PD për SPAK pas arrestimit të Veliajt
28,2% e qytetarëve përgjigjen se asnjë parti nuk do të përfitojë nga kjo ngjarje politikisht në zgjedhjet e 11 Majit. 42.8 % e të pyeturve mendojnë që nga arrestimi i Veliajt, do të përfitojnë politikisht në zgjedhjet e 11 Majit, PD dhe aleatët e saj.

Nëse do të përfitojnë partitë e reja politikisht në zgjedhje nga arrestimi i Veliajt mendimi i qytetarëve ndahet keshtu: 5.5 % e tyre tregojnë se do të përfitojë Nisma Thurrje, 9% mendojnë që do të përfitojë Lëvizja Bashkë, 10,9 % mendojnë që nga ky zhvillim do të përfitojë “Shqipëria Bëhet” dhe 10,2 % mendojnë që do të përfitojë partia Mundësia. Vetëm 7% e të pyeturve mendojnë që politikisht nga kjo ngjarje do të përfitojë PS në 11 Maj. /Euronews Albania